AKTUALITET, 7 Prill 2021, 13:48

Protesta në Rinas, Rama dhe Balluku paralajmërojnë veprime ligjore ndaj kontrollorëve, ministrja: Ky është grusht shteti

Protesta në Rinas, Rama dhe Balluku paralajmërojnë veprime

Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku gjithashtu dhe kryeministri Edi Rama kanë paralajmëruar sot nisjen e veprimeve ligjore ndaj kontrollorëve të trafikut ajror, të cilët kanë pezulluar punën për shkak të protestës për rritjen e pagave të tyre.

“Bojkotimi i punës për kontrollin ajror është vepër penale dhe ndëshkohet ligjërisht!”, shkruan Rama në rrjetet sociale.

Ndërsa në një konferencë për shtyp nga Rinasi, Ministrja Belinda Balluku, pas takimit që ka pasur me kontrollorët, u shpreh:

Kjo është një çështje fatkeqësisht, pavarësisht se unë erdha në Rinas jo për të dëgjuar kërkesën nuk bëhet fjalë o të bjerë vendimi i këshillit mbikëqyrës ose s’ka trafik ajror, erdha të flisja për t’i sqaruar që kjo nuk është një lojë.

Sot preket siguria kombëtare e vendit dhe e drejta për lëvizjen e lirë të çdo qytetari.

Erdha për t’iu thënë që s’është një lojë se nga ky moment do na duhet të marrim masa të rëndësishme ligjore që s’do jenë të mira për askënd por as për navigimin ajror”.

Sipas Ballukut, “të gjithë ata kontrollorë të trafikut ajror janë të trajnuar në akademitë më të mira, punojnë 205 ditë në vit dhe 17 ditë në muaj, përveç 28 ditëve pushim kanë dhe 7 ditë të tjera, në respekt të kësaj pune të rëndësishme e kanë dhe në respekt të përgjegjshmërisë që duhet të tregojnë”.

Ministrja Balluku ia është drejtuar publikisht Presidentit të vendit, Ilir Meta që të ketë këtë të mërkurë një reagim lidhur me këtë çështje, pasi informacionet që ka kërkuar i janë vënë në dispozicion, teksa e ka quajtur “grusht shteti” gjithë sa po ndodh.

“Do i kërkoja presidentit të Republikës që edhe i ka takuar kontrollorët dhe ka kërkuar informacion nga Albkontroll dhe kjo e ka dërguar informacionin, do kërkoja nga presidenti të shprehet publikisht për këtë situatë.

A mundet shteti të kompensojë kontrollorët e trafikut kur s’ka patur kurrë një involvim financiar në këtë ndërmarrje?

Zoti Meta i ka të gjitha të dhënat i kemi dërguar dhe nivelin e pagave të punonjësve para 2020, a mundet të kapet shteti peng nga një grup njerëzish që kërkojnë të marrin secili prej tyre 15 rroga sa merr një shqiptar?

Pra 4400 dollarë për një person? Do të ishin njësoj sa 14 shqiptarë.

Dikush mbrëmë gjatë negociatave kishte thënë “po 60 jemi ne nuk u bë nami”, jo faktikisht ju kërkoni të merrni sa 600 shqiptarë.

Dhe unë do desha të dija nga zoti Meta a mendon se duhet të bllokohet trafiku në Republikën e Shqipërisë që këtu mos vijnë vaksina, e këtu të mos lëviz askush, as ata që kanë prerë biletën për të ikur te njerëzit e tyre e as ata që kishin prerë biletën për të ardhur e as të vdekurit për tu varrosur e as të sëmurët?

Se ky është një grusht shteti a mund të kapet vendi peng sot nga disa persona që janë të stresuar me pagën 2490 dollarë? E nëse nuk ia bëjmë 4400 dollarë atëherë ata do të mbajnë vendin peng?”, u shpreh Belinda Balluku.