AKTUALITET, 24 Gusht 2021, 21:08

Probleme me ligjin dhe të dënuar në tre vitet e fundit, KQZ refuzon regjistrimin e 160 kandidatëve për zgjedhjet lokale në Kosovë

Probleme me ligjin dhe të dënuar në tre vitet e fundit, KQZ

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve në Kosovë ka refuzuar regjistrimin e 160 kandidatëve të 30 partive politike për zgjedhjet lokale.

Zëdhënësi i KQZ-së ka deklaruar në një prononcim për mediat se kandidatët nuk plotësonin kriteret e regjistrimit.

Sipas tij, kandidatët kanë pasur çështje penale të hapura ose janë dënuar gjatë 3 viteve të fundit.

“Janë 160 kandidatë nga lista prej më shumë se 5,200 kandidatësh që kanë kërkuar certifikim nga KQZ, por që kanë së paku një dënim përfundimtar në tri vitet e fundit”, ka deklaruar Valmir Elezi.

Ai u shpreh se momentalisht nuk mund të publikojë emrat e kandidatëve që kanë rezultuar me probleme. Partive politike do u jepet mundësia për të zëvendësuar kandidatët me probleme.

Elezi ka thënë se deri me 8 shtator do të vazhdojnë procedurat e ankesave kur edhe do të hidhët shorti për zgjedhjet lokale.

“Në rast të mos certifikimit të ndonjë kandidati apo subjekti, pala e pakënaqur me vendimin e KQZ-së mund të paraqes ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe në Gjykatën Supreme. Të gjitha këto çështje, planifikohet të përfundojnë deri më 6 shtator. Kjo do t’i hapte rrugë KQZ-së për të organizuar tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim. Afati i fundit për tërheqjen e shortit është data 8 shtator”.