AKTUALITET, 21 Prill 2021, 10:16

Policia vret një vajzë 16 vjeçare me ngjyrë në SHBA

Policia vret një vajzë 16 vjeçare me ngjyrë në SHBA

Policia e Ohios ka qëlluar për vdekje një vajzë afro-amerikane 16 vjeçare. Agjentët e policisë kanë reaguar ndaj një përpjekjeje për sulm me thikë.

Çdo gjë ndodhi pak minuta para se të merrej vendimi për agjentin e policisë që vrau një vit më pare George Floyd.

Kryebashkiaku i Columbus, Andrew Ginther konfirmoi ngjarjen duke shkruar në rrjetet sociale se një vajzë e re kishte humbur jetën në mënyrë tragjike.

Agjentët e policisë të përfshirë kishin kamera trupi të cilat janë sekuestruar dhe po analizohen në kuadër të hetimeve që kanë nisur për të zbardhur atë që ka ndodhur.

Kryebashkiaku premtoi se do të bënte publik çdo detaj, dhe u bëri apel qytetarëve të qëndrojnë të qetë dhe të lënë hetuesit të kryejnë punën e tyre.

Viktima është Ma’Khia Bryant. Tezja e saj tha për mediat se adoleshentja jetonte në një shtëpi sociale dhe ishte përfshirë në një zënkë me një adoleshent tjetër. Ajo shtoi se mbesa e saj e kishte hedhur thikën në tokë para se të qëllohej disa herë nga policia.

Menjëherë pas publikimit të lajmit shpërthyen protesta në të gjithë qytetin.