AKTUALITET, 11 Korrik 2021, 09:36

Po ktheheshin nga Greqia në Patos për pushime/ Makina me katër anëtarë të një familje del nga rruga, dyshohet se shoferi ishte i përgjumur

Po ktheheshin nga Greqia në Patos për pushime/ Makina me katër


Një aksident ka ndodhur mëngjesin e kësaj të diele në aksin Levan-Tepelenë.

Drejtuesi i një automjeti ka humbur kontrollin e për pasojë makina ka dalë nga rruga në fshatin Buzmadh duke përfunduar në kanal. Nuk raportohet për viktima, por vetëm për të plagosur.

Raportohet se shoferi mbeti i bllokuar në automjet dhe pas ndërhyrjes u bë e mundur nxjerrja dhe transportimi për në spital. Mësohet se drejtuesi i mjetit është shtetasi Maks Hebeja, 46 vjeç, banues në Patos,i cili ndodhet në spitalin e Fierit nën kujdesin e mjekëve.

Në makinën e aksidentuar udhëtonte një familje me katër anëtarë, një çift bashkëshortësh dhe dy djem që ishin nisur nga Greqia në drejtim të Fierit.

Paraprakisht dyshohet se shkak i aksidentit është bërë fakti që drejtuesi i mjetit “Honday” ka qenë i përgjumur në timon.

Njoftimi i policisë:

Sot rreth orës 07:15, aksin rrugor Levan-Tepelenë, në fshatin Buzmadh, shtetasi M. H., 46 vjeç, banues në Patos, duke drejtuar automjetin tip “Honday” ka dalë nga rruga dhe për pasojë është dëmtuar drejtuesi i mjetit i cili ndodhet në spitalin e Fierit nën kujdesin e mjekëve.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e shkakut të daljes së mjetit nga rruga.