AKTUALITET, 7 Korrik 2018, 13:46

Piramidat e përmbysura të Edi Ramës, kryebashkiakut që kërkoi të bëhet sulltan

Piramidat e përmbysura të Edi Ramës, kryebashkiakut që

Me ligjin për shembjen e godinës së teatrit, i paraqitur në Kuvend me procedurë të përshpejtuar sikur të ishte një prioritet urgjent kombëtar, Rama shënoi braktisjen përfundimtare të premtimeve të një politike rilindase të vendit.

Në fillim “Rilindja” dukej si një proces politik gjenial, një kopje më e madhe e lyerjes së famshme të fasadave që e bënë të famshëm në fillim të mandatit të tij si kryebashkiak i Tiranës, me qëllimin për të futur në shoqërinë shqiptare, përmes shenjave të vogla por të dukshme të ndryshimit, një besim në një të ardhmen dhe një sjellje me “urbane” të qytetarëve dhe të zgjedhësve. Ishte një histori “evropiane”, por që tani po përfundon në një tragjedi otomane, me sulltanin që vret familjarët e tij në ethet e pushteti deri edhe veten e tij.

Tani ajo çfarë mbetet nga historia e “Rilindjes” është vetëm plaçkitja dhe vesi personal, vullneti i tiranit që përdor shërbëtorët e tij dhe vetëkënaqet kur i sheh të zvarriten nën këmbët e tij, duke vënë kapriçot e tij personale para prioriteteve të vendit dhe duke e shtyrë parlamentin, aq të përçmuar prej tij, në një shfaqje të kotë për të demonstruar pushtetit e tij personal.

Është fundi i çdo politike publike, i çdo lloj respekti për qytetarët, dhe i çdo projekti me qëllim shoqëror, madje është fshirja e qartë e kujtesës historike të qytetit. Ky është falimentimi më i madh politik—fshirja e historisë, mashtrimi i kujtesës, mohimi i rrënjëve të vërteta, është humbja më e madhe e një vendi, një lëvizjeje politike, një projekti politik.

Kush nuk ka kujtesë e nuk ka respekt për të shkuarën e vet, nuk prodhon dot histori dhe nuk prodhon dot të ardhme, maksimumi vjedh e plaçkit atë që i kanë lënë paraardhësit e tij.

Por sot Rama nuk duket më kaq i sigurt për të ardhmen e tij personale dhe akoma më pak për qeverinë e tij, dhe si një sulltan otoman është tashmë i pasigurt për çdonjërin nga bashkëpunëtorët e tij, të cilëve u kërkon prova të njëpasnjëshme besimi, duke korruptuar shërbëtorët e tij dhe për t’i kompromentuar, dhe ngaqë e ka kuptuar se fundi i tij është afër, po përshpejton projektet e tij urbanistike për të lënë shenjën “e tij” në histori, në atë histori që sigurisht nuk do ta festojë emrin e tij si një Baba i Madh i Atdheut, por të paktën mund ta festojë si një arkitekt i madh dhe kokëfortë i qytetit të tij.

Çuditërisht kjo është një tipar tipik i njerëzve të tjerë të “ekzagjeruar”, me ego së tejmbushur, të fiksuar për të kërkuar pavdekshmërinë përmes një shenjë të lënë prej tyre në histori, që kur kuptojnë se fundi është pranë, i rihedhin projektet e tyre me absurde, më të kota, dhe ndoshta edhe më të dëmshme, duke kërkuar t’i mbarojnë ato përpara fundit të tyre personal.

Por në vend të teatrit—i cili do të shembet burravecërisht dhe me shpejtësi, ndoshta gjatë periudhës së verës, me siguri duke e nisur shembjen natën—do të mbetet vetëm një boshllëk shumë i madh, sepse një ligj i keqmenduar dhe i miratuar me shpejtësi nuk i largon aq lehtë frikërat tipike shqiptare të atyre që do rrezikojnë paratë e tyre, edhe pse të vjedhura, për të blerë frutin e mëkatit të ndërtuar mbi një tokë të vjedhur, në një kohë kur parlamenti i “Rilindjes”, që e votoi atë ligj, nuk do të jenë më aty për t’u garantuar hajdutëve certifikatën hipotekore që ata do kërkojnë.

Ai boshllëk do të jetë varri dhe mouzeleumi i Edi Ramës, siç duhej të ishte Piramida për diktatorin Hoxha, mauzeleumi i një njeriu politik, të maskuar si artist, që përpiqej të dukej evropian, por donte të ishte sulltan, i cili e thirri popullin për të ndërtuar shtet, por ndërtoi vetëm ëndrrën e vet private dhe personale, të ndërtuar mbi ligësinë që i lanë dështimet dhe shqetësimet e shumta që provoi gjatë jetës së tij.

Shembja e teatrit nuk është politikë publike dhe nuk mund të jetë prioriteti i një qeverie që kujdeset për vendin—është thjesht biznes, çmimi i korrupsionit të shumë protagonistëve, ndërkohë që për vetë Sulltanin Narko-estetik është xhesti i shpërfilljes finale për shoqërinë shqiptare, për artistët, për qytetarët, për kujtesën kolektive të mohuar me dashje prej tij.

Është xhesti i arrogancës finale, i kryer me shpejtësi dhe si frikacak, përmes shërbëtorëve më të bindur dhe më të korruptuar, ne mënyrë që ai të mos vërë vetë firmën në dokument zyrtar, duke u fshehur pas dy qenieve të pavlerë, dy lolove të cilët ai i krijoi vetë nga hiçi, prandaj dhe i përçmon, dhe që tani i përulen vullnetit të tij për të ndalur ata që mund të ngrihen kundër tij, satrapit që të gjithë e dinë se, tashmë, është duke vdekur.

Si në një film horror, rrethi po mbyllet, rrëfenja e politikanit të ndriçuar nuk funksionon më, dhe thuajse të gjithë partnerët evropianë e kanë kuptuar tashmë lojën, dhe shpejt do të mbërrijnë rojet (ato të vërtetët), dhe banda që përdor sovranitetin e shtetit shqiptar për të mbrojtur imperializmin e vërtetë kriminal duhet të kapitullojë.

Dikush do të vetëvritet, ose të paktën kështu u ndodh shpesh kriminelëve të rrethuar, dhe të tjerëve do t’u ndodhë e njëjta gjë, kurse neve do të na mbetet boshllëku, piramidat e përmbysura të Edi Ramës, si dëshmi e një politike të mbështetur mbi hiçin./ Carloalberto Rossi – Exit.al