TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Nga Selami Xhepa
Prej rreth dy muajsh, jeta ekonomike dhe sociale janë paralizuar, jo vetëm në Shqipëri, por në nivel global.
Duke konsideruar një shpërndarje proporcionale në krijimin e pasurisë gjithëvjetore të vendit dhe duke faktorizuar sektorin bujqësor dhe agroindustrial që kanë funksionuar, të themi në kushte “normale”, dhe sektorin e shitjeve me shumicë dhe pakicë për këtë kategori produktesh, në vetëm dy muaj ekonomia e vendit mund të ketë humbur rreth 1 miliard euro – duke bërë një aritmetikë me pesë gishta. Sigurisht, që kjo për një ekonomi si kjo e jona është një humbje e konsiderueshme.
Dhe nëse rikthimi në normalitet do kërkojë dhe disa muaj të tjerë – siç ka shumë gjasa të ndodhë kështu – atëherë humbjet në ekonomi do të jenë në nivele kërcënuese.
Qasja e derisotme e qeverisë ndaj krizës ka qenë shumë apatike (në planin ekonomik) dhe nëse vazhdon kështu, po i shtyn të gjithë aktorët drejt limiteve: individët drejt pamundësive të jetesës, biznesin drejt shterimit të mundësive të mbijetesës (jo si individ, por si sipërmarrje), grupet në nevojë drejt racionimit të kafshatës. Ky skenar është me rreziqe për destabilitet social dhe që do të na kthente shumë vite më pas në kohë.
Këshilla miqësore për qeverinë është ta lexojë realitetin më me seriozitet dhe të ndërmarrë masa energjike për shpëtimin e ekonomisë, që çdo ditë po rrëshqet drejt rreziqeve të panjohura. Është koha për të demonstruar lidership.
Publiku sot ka nevojë për t’i dhënë shpresë dhe besim dhe këtë mund t’ia japin ekipe ekspertësh, individë me reputacion dhe të besueshëm për publikun.
Vendimi më me rëndësi që duhet të marrë sa më parë qeveria, do të ishte krijimi i një strukture/ekipi pune për të hartuar politika të shëndetshme, të tanishmet për parandalimin e rrënimit ekonomik dhe social, por dhe për të punuar për arkitekturën e re të ekonomisë së ardhshme, e cila duhet të rimendohet më me kujdes tashmë.
Koha e kërkon këtë dhe duhet të punohet sa nuk është vonë. Le t’i lëmë paketat që shkruhen në nxitim e sipër dhe të punojmë për një plan të vërtetë shpëtimi të ekonomisë. Vendi ka mundësi ta kapërcejë këtë prag katastrofe, por duhet lidership dhe vizion.