AKTUALITET, 23 July 2026, 13:52

"Pëllumbeshë, të hëngri Lubia, ishte më e fortë se ti"/ Spiropali: Asnjë bedel apo dikush që përdor pushtetin s’më ndal dot! Hap rrugën

Deputetja e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali mori fjalën në Kuvend duke dhënë një përgjigje ndaj atyre, që sipas saj, i kanë përmendur emrin në lidhje me qëndrimet kritike që ka mbajtur ndaj kryeministrit Edi Rama.

Ajo theksoi se ka folur para dhe gjatë protestës për nevojën për të reformuar pushtetin, për t’u vetëkorrigjuar si dhe për ta ndryshuar këtë sistem politik, që sipas saj, tani po i lë qytetarët shqiptarë të papërfaqësuar.

Ajo iu drejtua më pas edhe kryedemokratit Sali Berisha me pyetjen nëse e ka fuqinë që të demokratizojë PD-në dhe të çlirojë opozitën.

“Replikën e kam me disa deputetë këtu që dëgjoj se a kanë përmendur emrin si një shembull të një politikani të sulmuar për shkak të qëndrimeve të saj. Dua të them se edhe përpara protestës edhe gjatë saj, unë kam folur për reformimin e pushtetit, nevojën për vetëkorrigjim, për të kaluar nga sistemi i personalizimit ekstrem të pushtetit te sistemi i institucioneve, për vetëpastrim, për luftë kundër korrupsionit, për administratën, për nevojën për të kuptuar se ky është një moment historik që ndan një epokë nga një tjetër sa i takon demokratizimit të mëtejshëm të Shqipërisë. Kam folur për më shumë përfaqësim brenda partive politike dhe në sistemin politik, për nevojën për ta ndryshuar këtë sistem politik dhe zgjedhor që ka prodhuar një banalitet sot.

Nuk ka qenë kështu atëherë kur marrëveshja është firmosur. Ka prodhuar stabilitet por sot nuk prodhon më asgjë sepse njerëzit janë të papërfaqësuar dhe janë në rrugë. Kam folur për institucione shtetërore që përdoren kundë njërit dhe tjetrit me besimin se kemi fuqinë për ta ndryshuar. Po ti Klevis, Jorida, Tomor, Belind e të gjithë, madje edhe ti Sali.

Doktor e ke fuqinë të hapësh rrugën dhe të demokratizosh edhe partinë tënde dhe ta çlirosh opozitën. A e ke fuqinë të bëhesh pjesë e një ndryshimi që s’i takon një partie por të gjithëve. Kam besimin se PS e ka këtë fuqinë dhe asnjë nga sulmet, asnjë lloj bedeli politik të njërit apo tjetrit nuk më ndal dot te kjo se nuk kam asgjë për të fshehur. Asnjë njeri që përdor pushtetin dhe që mendon se në emër të njërës apo tjetrës mund të dëmtojë politikisht, familjarisht dhe njerëzisht dikë nuk do t’ia dalë se do të hiqet si apandisit nga kjo shumicë dhe politika”, tha Spiropali.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha replikoi me deputeten e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali pasi kjo e fundit iu drejtua duke i thënë se nëse e ka fuqinë që të demokratizojë PD-në.

Në Kuvend, Berisha iu drejtua Spiropalit me termin “Pëllumbeshë”, dhe se e “hengri Lubia” duke iu referuar ish zëvendës kryeministres dhe ish ministres Belinda Balluku.

“Ju nuk përfaqësoni qytetarët, përfaqësoni vjedhjet e tij për të plaçkitur pasuritë publike në mënyrën më të pamëshirë. Përfaqësoni 140 milionë euro të vjedhura tek djegësi i Tiranës.

Përfaqësoni 600 milionë euro të përvetësuara nga familja e tij dhe ai, me Ergysin Agasin, në AKSHI-n e tij, me Lindat e tij. Përfaqësoni dosjen Balluku. Edhe ty, Pëllumbeshë, ty nuk të hëngri parimësia, por ty të hëngri Lubia, se ishte më e fortë se ti.

Pëllumbeshë, je e sinqertë me veten tënde, se unë të dhashë një paralajmërim kur na erdhe e veshur si nuse këtu, kujtove se ishte në ditën e fundit. Harrove se ajo do bëhej dita e fundit e jotja.“, tha Berisha.