SPORT, 19 Gusht 2021, 10:51

Pas 18 vitesh aktiv dhe shtatë tituj kampioni në futbollin shqiptar, Renato Arapi “var këpucët në gozhdë”

Pas 18 vitesh aktiv dhe shtatë tituj kampioni në futbollin shqiptar,

Pas 18 vitesh në futbollin profesionist, kapiteni kampion i Teutës, Renato Arapi, tërhiqet nga futbolli aktiv.

Mbrojtësi 35-vjeçar është përshëndetur me shokët e skuadrës dhe nga sezoni i ri nuk do të jetë aktiv në fushat e futbollit si profesionist.

Arapi e ka menduar gjatë dhe pas një sezoni fantastik me skuadrën e zemrës, ku u shpall kampion dhe ku kaloi për herë të parë 2 ture në Evropë me Teutën, vari këpucët në gozhdë.

Arapi e nisi karrierën me moshat e Teutës, për të kaluar më pas te Dinamo, ku debutoi në Superiore në sezonin 2002-2003.

Mbrojtësi fitoi 6 tituj kampionë radhazi me Skënderbeun, si dhe një me Teutën si kapiten. Shtatë tituj kampionë dhe plot kupa e superkupa, e bëjnë Renato Arapin futbollistin me më shumë trofe në Shqipëri.

Gjithashtu në futbollin shqiptar ikona e futbollit durrsak është aktivizuar edhe me Partizanin, Besën dhe Erzenin, ndërsa provoi edhe dy aventura jashtë vendit, me Silkeborg në Danimarkë dhe Boluspor në Turqi. Gjithashtu, Renato Arapi u aktivizua rishtaz me ekipet kombëtare, teksa me ekipin e parë zbriti në fushë në 4 takime.