AKTUALITET, 22 Gusht 2018, 13:36

Pamje shokuese nga ura e Fushë-Krujës, i kanë dalë hekurat. Eksperti: Duhet ndërhyrje urgjente

Pamje shokuese nga ura e Fushë-Krujës, i kanë dalë hekurat.

Mbikalimi i Fushë Krujës, është ura e vetme që lidh Tiranën me veriun e vendit dhe me Kosovën. Klan Klus bëri një vëzhgim dhe tregoi me pamje se ura ka degraduar. Ndërkohë që problem është edhe mungesa e sinjalistikës që nuk përcakton lartësinë e mjeteve që duhet të kalojnë nën të.

Ky mbikalim jo vetëm që nuk është përfshirë në listën e objekteve ku duhet të ndërhyhet por as nuk është kontrolluar për pajisjen me sinjalistikën e duhur nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.

Në këtë mbikalim e vetmja tabelë sinjalizuese është kjo që përcakton se këtu ka një urë dhe gjatësinë e saj. Sinjalistika që duhet të përcaktojë peshën e automjeteve që duhet të kalojnë por edhe lartësinë e tyre mungon.

Një banor i zonës shprehet “asnjëherë nuk ka pasur sinjalistikë. Këtu kalojnë mjetë më të larta se sa lejohet që e godasin urën. Kemi çdo ditë fadroma dhe vinçe që përplasen. Çuditem si nuk po bie”.

Sipas specialistëve kjo urë ka nevojë për ndërhyrje, në mënyrë që të mos rrezikohet jetëgjatësia e saj.

Arben Dervishaj, ekspert ndërtimi deklaroi se “kjo urë ka nevojë për ndërhyrje pasi hekurat i kanë dal në sipërfaqe dhe rrezikohen struktura dhe qëndresa e saj”.

Më tej, Arben Dervishaj tha se urat që janë ndërtuar me kodet e vjetra janë të rrezikuara. Urat që kalojnë mjetet me tonazh më të madh janë të rrezikuara. Duhet një studim i thellë për çdo urë për të parë nëse ato kanë nevojë për ndërhyrje apo jo. Nëse duhet vetëm rikonstruksion apo përforcim i tyre këtë e përcaktojnë studimet e detajuara. Ne na duhet një data-bazë për të dhënat e çdo vepre arti që ta dimë se në çfarë gjendje janë por edhe për të matur dhe kostot që duhen për mirëmbajtjen dhe ndërhyrjen në to”.

Më poshte kronika e Klan Klus: