BOTA, 26 July 2026, 16:42

Palestinezët: Kolonët izraelitë u vunë flakën xhamive, makinave dhe tokave bujqësore në Bregun Perëndimor

Palestinezët: Kolonët izraelitë u vunë flakën xhamive,

Kolonët izraelitë u kanë vënë flakën dy xhamive, si dhe makinave dhe tokave bujqësore në Bregun Perëndimor të pushtuar, thonë zyrtarët palestinezë, ndërsa tensionet në territor vazhdojnë të rriten.

Sulmet e fundit vijnë dy ditë pas një përplasjeje midis kolonëve dhe palestinezëve pranë fshatit Tal, ku mbetën të vdekur katër palestinezë dhe dy izraelitë. 

Të dyja palët akuzuan njëra-tjetrën për provokimin e dhunës, transmeton Telegrafi.

Ky përballje e ka përkeqësuar më tej situatën në Bregun Perëndimor, i cili ka parë dhunë gjithnjë e në rritje nga kolonët ekstremistë kundër palestinezëve, të inkurajuar nga elementë të ekstremit të djathtë në qeverinë aktuale izraelite.

Raportet palestineze thonë se dy fshatra në Bregun Perëndimor të pushtuar u sulmuan nga kolonët gjatë natës - me makina të vandalizuara, prona të vjedhura dhe grafite urrejtjeje të pikturuara në mure.

Kryebashkiaku i Kusrës tha se kolonët i vunë flakën një xhamie që ishte në ndërtim e sipër.

Abdul Azim Wadi tha se kolonët pikturuan grafite që përfshinin fjalën "hakmarrje" në muret e xhamisë.

Ushtria izraelite ka thënë se trupat janë dërguar në Kusra dhe se policia do të hetojë dhe mbledhë prova.

Zyrtarët palestinezë thonë se në një incident të veçantë, kolonët i vunë zjarrin një xhamie tjetër në fshatin Kour dhe shkruan slogane në muret e saj.

Që nga përplasja vdekjeprurëse e së premtes në Tal, palestinezët thonë se ka pasur sulme të shumta të kolonëve në fshatra në të gjithë Bregun Perëndimor.

Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) kanë kryer bastisje dhe kanë arrestuar dhjetëra palestinezë në atë që quhet një operacion "kundër terrorizmit".

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu iu përgjigj incidentit në Tal duke u zotuar të ndërmarrë "veprime të fuqishme".

Kjo përfshin edhe prishjen e mundshme të shtëpive të dy prej palestinezëve që dyshohet se ishin të përfshirë.

Ka pasur një rritje të ndjeshme të sulmeve të kolonëve në Bregun Perëndimor në muajt e fundit.

Kjo ka tërhequr dënim ndërkombëtar, por ka treguar pak ose aspak shenja se do të përmbyset. Situata ishte përkeqësuar që para sulmeve të udhëhequra nga Hamasi ndaj Izraelit më 7 tetor 2023.

Por që kur shpërtheu lufta pasuese e zhvilluar nga Izraeli kundër Hamasit në Gaza, dhuna e kolonëve në Bregun Perëndimor është përshkallëzuar.

OKB thotë se 1,114 palestinezë janë vrarë në Bregun Perëndimor, shumica dërrmuese nga IDF. Ajo thotë se të paktën 35 nga vdekjet kanë përfshirë sulme nga kolonët.

Ajo thotë se 41 izraelitë, përfshirë civilë dhe personel sigurie, janë vrarë në sulmet palestineze ose gjatë operacioneve ushtarake izraelite në Bregun Perëndimor që nga fillimi i luftës në Gaza.

Izraeli ka ndërtuar qindra vendbanime që strehojnë 700,000 hebrenj që kur pushtoi Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor gjatë luftës së Lindjes së Mesme të vitit 1967. Rreth 3.3 milionë palestinezë jetojnë përkrah tyre. Vendbanimet janë të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar.