AKTUALITET, 20 July 2026, 09:53

Operacioni/ Po transportonte granata e tritol, policia shtrin në tokë dhe arreston 52-vjeçarin në Tiranë

Një 52-vjeçar është arrestuar në Tiranë, pasi u kap duke transportuar granata luftarake, tritol dhe kapsolla detonatore, të cilat dyshohet se do t’i shiste. 

Sipas Policisë, i arrestuari P. Çeça, banues në Fushë-Krujë, rezulton me precedentë të mëparshëm penalë në fushën e narkotikëve. Ai u ndalua në rrugën “Kastriotët”, pasi u ndiq nga policia, te cilët e shtrinë në tokë për t’i vënë prangat siç shihet edhe në pamje.

Gjatë kontrollit, policia gjeti dhe sekuestroi 2 granata dore luftarake, 2 ndezës granatash, 600 gramë lëndë plasëse (tritol), një pjesë e së cilës ishte e pajisur me 2 fitila dhe 2 kapsolla detonatore gati për shpërthim, si edhe 6 kapsolla detonatore.

“Si rezultat i informacioneve të siguruara në rrugë operative, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Seksionin për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Porosia”. Gjatë operacionit, në rrugën “Kastriotët”, u kap dhe u vu në pranga shtetasi P. Ç., 52 vjeç, banues në Fushë-Krujë, me precedent të mëparshëm penal në fushën e narkotikëve.

Gjatë kontrollit të qeses që mbante me vete, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 2 granata dore luftarake, 2 ndezës unifikues, 600 gramë lëndë plasëse (tritol), një pjesë e së cilës ishte e pajisur me 2 fitila dhe 2 kapsolla detonatore gati për shpërthim, si dhe 6 kapsolla detonatorë”, njofton policia.

Policia po vijon hetimet për të zbardhur origjinën e lëndëve plasëse dhe për të identifikuar personat që mund të jenë të përfshirë në këtë rast.