TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Edhe dy persona të tjerë janë arrestuar dje nga Policia e Elbasanit në lidhje me vrasjen e Florian Lamçjas, ngjarje për të cilën ndodhet në qeli dhëndri i Qazim Sejdinit.
Policia njoftoi dje se në vijim të hetimeve të thelluara në kuadër të procedimit penal në lidhje me ngjarjen e datës 30.07.2020, është bërë i mundur dokumentimi i veprimtarisë kriminale, kapja e ndalimi i shtetasve Mehmet Muça, 30 vjeç, dhe Amadeus (Julian) Lamçja, 40 vjeç.
HETIMI
Sipas dosjes hetimore, mbi të dhënat dhe deklarimet e dëshmitarëve të ngjarjes dhe këqyrjes së kamerave të sigurisë, nga dinamika e hetimeve rezulton se personat nën hetim, Mehmet Muça dhe Amadeus (Julian) Lamçja, kanë kryer veprime kriminale që lidhen me këtë ngjarje.
“Rezulton se shtetasi Mehmet, me porosi të të hetuarit Sokol Sanxhaktari, ka marrë armët e zjarrit të shtetasve Sokol dhe Florian dhe i ka larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa shtetasi Amadeus ka furnizuar personat në tavolinë me lëndë narkotike të llojit kokainë, duke qenë prezent gjatë gjithë ngjarjes.
Në këto rrethana, këta shtetas dyshohet se kanë kryer veprat penale të parashikuara nga nenet 300 dhe 301 të K.Penal. Shtetasi Amadeus, edhe për veprën penale të parashikuar nga neni 305/b i K.Penal, për shkak se i pyetur gjatë veprimeve të para hetimore ka mohuar të ketë qenë në vendin e ngjarjes dhe të ketë pasur dijeni për këtë ngjarje gjatë zhvillimit dhe mbi mënyrën e zhvillimit të saj”, thuhet në dosje.
MASA E SIGURISE
Në kërkesën për caktimin e masës së sigurisë, Prokuroria shprehet se nevojat e sigurimit ndaj tyre janë të rënda dhe në funksion të veprimeve hetimore është e nevojshme që të caktohet një masë sigurimi, ku masa më e përshtatshme në raport me peshën e provave të administruara, që plotëson më mirë nevojat e sigurimit, si dhe për të evituar rrezikun e ikjes dhe shmangies nga përgjegjësia penale, është ajo e parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale.
“Gjithashtu, nuk ekziston asnjë shkak padënueshmerie (në lidhje me moshën ose gjendjen psikike të personit nën hetim) ose shuarje të veprës penale.
Vepra penale nuk rezulton të jetë parashkruar, amnistuar apo depenalizuar. Për sa u përket kritereve për caktimin e masës së sigurimit, në rastin konkret duhen mbajtur parasysh rrezikshmëria shoqërore e veprës penale dhe e personit të dyshuar, rrethanat në të cilat është kryer vepra penale, si dhe fakti i ngjarjes së rëndë kriminale, në të cilën janë përfshirë këtë persona me veprimet dhe mosveprimet e tyre.
Të gjitha këto rrethana e bëjnë të domosdoshme dhe në përputhje me nevojën e sigurimit, caktimin ndaj tyre të masës së sigurimit ‘Arrest në burg’”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë./Panorama/