SPORT, 12 October 2026, 18:34

Një fanellë, 14 milionë dollarë! Michael Jordan vendos rekordin e ri në historinë e NBA-së

Një fanellë, 14 milionë dollarë! Michael Jordan vendos

Një fanellë e Michael Jordan, e veshur dhe e firmosur prej tij gjatë finaleve të NBA-së në vitin 1998, është shitur për 14 milionë dollarë, duke vendosur një rekord të ri për një objekt koleksionimi në historinë e basketbollit.

Fanella e kuqe e Chicago Bulls u shit përmes një marrëveshjeje private, të njoftuar të hënën nga shtëpia e ankandeve Hunt Auctions, me seli në Pensilvani. Blerësi është identifikuar si Ron Firman, një sipërmarrës në sektorin e pasurive të paluajtshme në Miami. Bëhet fjalë për fanellën që Jordan veshi në ndeshjen e dytë të finaleve kundër Utah Jazz, më 5 qershor 1998. Atë mbrëmje, Chicago Bulls triumfoi ndaj kundërshtarëve, duke barazuar serinë finale në rezultatin 1-1.

Shitja e re thyen rekordin e vendosur vetëm pak javë më parë, kur një tjetër fanellë e Jordanit, e veshur në ndeshjen e tretë të po atyre finaleve, u shit për 12,26 milionë dollarë. Ajo ndeshje mbetet e paharrueshme për fitoren dërrmuese të Bulls ndaj Utah Jazz me rezultatin 96-54.

Kështu, Michael Jordan vazhdon të shkruajë histori edhe përtej parketit. Fanella e tij tashmë mban rekordin si objekti sportiv i koleksionimit më i shtrenjtë i shitur në historinë e basketbollit, duke konfirmuar vlerën e jashtëzakonshme që kanë reliket e legjendës së NBA-së.