AKTUALITET, 20 Shtator 2021, 11:00

Nis seanca e dytë në Hagë ndaj Salih Mustafës, pritet të flasin dëshmitarët

Nis seanca e dytë në Hagë ndaj Salih Mustafës, pritet

Ka nisur seanca e dytë e gjykimit të ish-komandantit të UÇK-së, Salih Mustafa, në Hagë.

Në këtë seancë do të dëgjohen dëshmitë e dëshmitarëve.

Me të nisur seanca, Salih Mustafa kërkoi të fliste, mirëpo gjykatësja nuk ia dha fjalën.

“E nderuara gjykatëse kisha pas dëshirë të flas diçka para se të dëgjoni dëshmitarët”, tha Mustafa.

Gjykatësja tha se këtë do ta bëjë në një moment të caktuar.

“Në ndonjë moment sot mund tua jap fjalën, por tani për tani kemi një program të organizuar për sot. Do të marrim në pyetje dëshmitarin dhe pastaj në një moment të duhur do t’iu jap mundësinë për të thënë atë që doni të thoni”, tha gjykatësja.

Në seancën e parë të gjykimit, më 15 shtator, u bë e ditur se trupi gjykues do të dëgjojë dëshminë e dy dëshmitarëve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar nga data 20 shtator deri të martën 28 shtator 2021.

Gjatë kësaj seance, Mustafa u deklarua sërish se është i pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi të. Ai madje e quajti Gjykatën Speciale zyrë e “Gestapos” duke iu referuar shërbimit sekret policor në kohën e Gjermanisë naziste.

“Nuk jam fajtor për asnjë nga pikat që mi ngarkon kjo zyrë e Gestapos”, deklaroi Mustafa.

Aktakuza kundër Mustafës u konfirmua më 12 qershor 2020 dhe versioni i fundit u bë publik më 28 shtator 2020.

Aktakuza e ngarkon Mustafën me përgjegjësi penale individuale dhe përgjegjësi penale si epror për “krimet e kryera nga disa anëtarë të UÇK-së kundër personave të ndaluar në kompleksin e ndalimit në Zllash”.

Mustafa u arrestua dhe u transferua në njësinë e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 24 shtator 2020.