AKTUALITET, 12 Qershor 2021, 20:10

“Nga Turi te Sindi” maturantët në protesta/ Evis Kushi u uron suksese

Pyetjet e komplikuara në testin e matematikës për maturantët, që sapo kanë mbyllur një vit të pazakontë shkollor kanë provokuar protesta në të gjithë vendin. Mijëra të rinj, mes të cilëve nxënës të ekselencës apo ata që kanë marrë pjesë edhe në Olimpiada jashtë vendit akuzojnë ekspertët e Ministrisë së Arsimit se disa prej pyetjeve janë kopjuar nga një test i Kembrixh, që nuk përkon me mënyrën e trajtimit të mësimeve të matematikës në shkollat e Shqipërisë.

Si provë për kopjimin e testeve nga të huajt ka dalë një personazh që përmendet në pyetjet e matematikës dhe që quhet Sindi.

Natyrshëm, në një nga pankartat e të rinjve që protestonin para Ministrisë së Shëndetësisë pyetja që ngrihej ishte: A i keni dhënë ju mësim Sindit?

“Sindi u përmend në një nga ushtrimet që ishte pjesë e provimit të matematikës. Pyetja bënte fjalë për një numër kutish që do të futeshin në një arkë dhe ne do të gjenim a kishte të drejtë apo jo… Por ajo ishte një pyetje që kishte të bënte me një logjikë që ne nuk e kishim pasur, nuk e kishim përmendur asnjëherë gjatë periudhës së përsëritjes apo gjatë periudhës që po bënim konsultimet me mësueset. “A kishte të drejtë ajo me përllogaritjet e saj?” ishte pyetja dhe ne në atë stresin e provimit nuk mund të ishim të logjikshëm në mënyrë të plotë që t’i përgjigjeshim si duhet. Ne e kemi bërë të gjithë që “kishte të drejtë”, por pasi pamë skemën pamë që e kishim të gjithë gabim” tha një maturante për Top Channel.

“Kërkesat tona janë mjaft të thjeshta. Nuk kërkojmë asgjë përveç drejtësisë. Kërkojmë që të testohemi për ato që kemi mësuar këto vite dhe jo për një test plagjaturë që është i gjithi i kopjuar nga Universiteti i Kembrixhit që pretendohet që të shkojnë nxënësit më të mirë në botë dhe të testohet tek ne që kemi mësuar çdo gjë shabllon. Marrim shembull derivation. Ne kemi mësuar se si ta zgjidhim derivatin në bazë ta tyre që kemi mësuar në shkollë. Në test, na kërkohej nga jeta e përditshme. Dhe është një torturë e vërtetë më besoni, stresi që kemi kaluar atje. Jam nxënëse e ekselencës, pretendoj të përfitoj inxhinierinë dhe e kam të pamundur ta fitoj në shtet. U binda përfundimisht që Shqipëria nuk bëhet dhe e gjitha kjo bëhet për pasurimin e privatit” tregoi një tjetër.

Protesta nuk pati vetëm në Tiranë. Në Shkodër, ata u ankuan se ushtrimet janë të kopjuara nga një provim në universitetin e Cambrige, ndërsa akuzuan edhe për presione gjatë procesit të testimit, nga ana e të deleguarve të Ministrisë së Arsimit.

Në Durrës të rinjtë u ankuan se testi pati dhe ushtrime jashtë kurikulës së lëndës, si dhe fraza të pakuptueshme, duke aluduar për përkthimin e problemit me Sindin, përpos kushteve të vështira në të cilat kanë mësuar dy vitet e fundit për shkak të pandemisë.

Në Elbasan, në Fier, në Korça dhe në Gjirokastër maturantët dolën në rrugë për të protestuar duke kërkuar përsëritjen e provimit, pasi lloji i pyetjeve që ishte në testim, nuk ishte trajtuar asnjëherë në mësim gjatë këtij viti shkollor.

Një përgjigje e thatë dhe e paqartë erdhi nga Ministrja e Arsimit Evis Kushi në mesditë, pas përshkallëzimit të protestave në të gjithë vendin. Kushi u përgjigj përmes rrjeteve sociale me një mesazh të shkurtër, kur shkruante:

“Siç ju kemi premtuar, ne do të jemi gjithmonë në mbështetjen tuaj. Në këto momente, jemi duke vlerësuar edhe një herë me grupet e ekspertëve nivelin e vështirësisë së çdo pyetjeje në testin e matematikës. Dhe në rast se na rezulton që ai e tejkalon nivelin e parashikuar, të cilin e kushtëzon mënyra e zhvillimit të mësimit gjatë këtij viti shkollor, pa dyshim që ne do ta rishikojmë shpërndarjen e pikëve në test dhe mënyrën e vlerësimit. Ju uroj shumë suksese për provimin e radhës!”

Nga qendra e shërbimeve arsimore, drejtoresha Rezana Vrapi ka deklaruar se testi nuk ka qenë i vështirë, por mesatar. Megjithatë, ekspertët kanë pranuar se kanë marrë disa pyetje nga jashtë se edhe vetë tekstet janë të përkthyera në nivele ndërkombëtare.

“Ne kemi një praktikë që në fund të korrigjimit, kur të mbledhim të gjitha rezultatet bëjmë analizën e çdo pyetje pa u shpallur rezultatet.Nëse do na rezultojë që një pyetje mund të ketë kaluar pritshmëritë tona në nivelin e vështirësisë, sepse varet sesi reagon popullata kundrejt saj. Ne na duhen shifër dhe jo opinione. Nuk mund ta themi tani pa parë rezultatin real. Kjo nuk është vetëm për matematikën, por në të gjitha lëndët edhe në ato me zgjedhje” tha Vrapi.

Por maturantët nuk janë kaq të qetë kur flasin për testin. “Ta nxjerr një herë këtë dufin që kam. Fakti që është përkthyer nga gjuha angleze teza do të thotë që niveli i vështirësisë në këtë tezë dhe niveli i arsimit në dy vende të ndryshme është komplet ndryshe. Në dy vite që kemi bërë mësim online, më vështirë nga vitet e kaluar, nuk mundet që një lëndë të mësohet me 30 min ushtrime, në këtë rast matematike. Ushtrimet do ishin disa të thjeshta dhe disa mesatare, por niveli i vështirësisë në provim nuk kishte lidhje me asnjë ushtrim që ne kemi bërë.

Kërkojmë që të rivlerësohet teza ose të rritet pragu midis 9 dhe 10 që të marrim një notë të përafërt me ato që kemi pasur këto vite. Nuk mundemi që për një idiotësi të hartuesve të tezës të na shkatërrohen 12 vite shkollë”, u shpreh shpreh një prej protestueseve nga Korça tejet e shqetësuar për rezultatin e provimit të Matematikës në një intervistë për Top Channel.