AKTUALITET, 26 July 2026, 15:09

Nesër seanca e fundit e Kuvendit, paralajmërohet tjetër protestë kundër klasës politike

Një tjetër protestë qytetare është thirrur këtë të hënë, më 27 korrik, përpara Parlamentit, me thirrjen se qytetarët nuk ndihen më të përfaqësuar nga deputetët. Organizatorët kanë bërë thirrje për tubim nesër në orën 8:30, për të shprehur pakënaqësinë ndaj Kuvendit dhe klasës politike, duke e cilësuar institucionin si të shkëputur nga interesat e qytetarëve.

Ashtu si në protestën e 23 korrikut, edhe këtë herë pritet një plan i posaçëm masash nga Policia e Shtetit. Pritet që e gjithë zona përreth Parlamentit të jetë një shtetrrethim i vërtetë nga forca të shumta policore, forcat e ndërhyrjes së shpejtë, barriera metalike, autobotat me ujë, me synimin për të penguar çdo tentativë për depërtim të protestuesve drejt godinës së Kuvendit.
Protesta e fundit e 23 Korrikut u shoqërua me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë. Efektivët përdorën gaz lotsjellës dhe automjete me ujë me presion për të shpërndarë turmën, ndërsa protestuesit iu kundërpërgjigjën duke hedhur vezë dhe tentuan të çanin kordonin e sigurisë. Përplasjet zgjatën për disa orë, duke e kthyer zonën përreth Parlamentit në një skenë të fortë përballjeje. Pas protestës policia shoqëroi 32 persona.

Në këto kushte, autoritetet kanë vendosur një regjim të lartë sigurie për seancën e së hënës, ndërsa mbetet për t’u parë nëse protesta do të zhvillohet pa incidente apo do të përsëriten skenat e përplasjes së regjistruara vetëm pak ditë më parë. Në seancë, sipas rendit të ditës, deputetëve do tu kërkohet vetëm votimi i një projektvendimi, që ka të bëjë me caktimin e anëtarëve zëvendësues në përbërjen e komisioneve të përhershme parlamentare. Por pritet që opozita të reflektojë sikundër edhe më 23 korrik qëndrimet kundër qeverisë dhe kryeministrit Rama, si dhe mbështetjen ndaj protestuesve dhe kërkesave të tyre.