AKTUALITET, 6 Maj 2021, 17:20

Nard Ndoka akuza ndaj PD: Demokratët më grabitën votat!

Nard Ndoka akuza ndaj PD: Demokratët më grabitën votat!

Kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka shpërtheu sot në akuza ndaj Partisë Demokratike, me të cilën ishte në aleancë zgjedhjet e 25 prillit. Ndoka garonte në Qarkun e Shkodrës, pa mundur dot të siguronte një mandat deputeti.

Për rezultatin e dobët që mori në zgjedhjet e 25 prillit, Ndoka thotë se e ka fajin PD, duke e akuzuar se i ka vjedhur votat. Ai tha se ndihet i tradhtuar nga kryedemokrati Lulzim Basha.

“Partia Demokristiane e Shqipërisë është ndër 4-5 partitë kryesore në vend, më e vlerësuar me vota se PAA, LZHK e PBDNJ, pra ndihemi të diskriminuar dhe përjashtuar edhe në raport me partitë aleate. Unë jam i vetmi kryetar partie që i kam fituar në mazhoritar betejat politike përballë PD e PS në vendlindjen time.

Sot ndihem i trishtuar, se kolegët demokratë me grabitën votat edhe në vendlindje, duke më lënë vetëm 24 vota, turp, krim, pabesi! Kjo është marrëveshja e firmosur nga 6 parti politike, përfshirë z.Basha si lideri i opozites, nga këta firmëtare vetëm PDK dhe unë si kryetar i saj jemi jashtë Kuvendit.

E kemi mbështetur PD për tetë vite në opozitë, në kauza, protesta, çadra, lënien e mandateve, mos regjistrim në zgjedhjet lokale, etj..

Mbeshtetje pa rezerva për opoziten e Bashën, në fund ndihemi të tradhtuar, të pavlerësuar dhe të persekutuar. As sot pas disfatës, nuk ka një falje, apo reflektim njerëzor dhe politik!”,shkruan Ndoka.