AKTUALITET, 21 Korrik 2020, 11:41

“Miratoni paktin e 5 Qershorit”/ Një ditë pas rimbledhjes së Këshillit Politik, ambasadorja Yuri Kim i shkon në zyrë Ramës


Ambasadorja e SHBA-së Yuri Kim është parë sot të hyjë në ambientet e Kryeministrisë në një takim me shefin e Qeverisë Edi Rama. Nuk dihet cila është tema e diskutimit të këtij takimi këtë të martë, por ai vjen një ditë pas rimbledhjes se Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore, në të cilën ishte i pranishëm dhe vetë Rama.

Përfaqësuesit e partnerëve ndërkombëtarë nuk kanë munguar në mbledhjen e djeshme të Këshillit Politik të Reformës Zgjedhore, që këtë herë pati një formulë edhe më të zgjeruar.

Para se në Pallatin e Kongreseve të mbërrinin përfaqësuesit politikë të Reformës Zgjedhore, në sallën e mbledhjes mbërritën përfaqësuesit e selive diplomatike më të rëndësishme në vend, duke filluar nga përfaqësues nga Ambasada Amerikane e duke vijuar me Bashkimin Europian, përfaqësues nga Ambasada Britanike, Këshilli Europian e OSBE-ja.

Mësohet se përfaqësuesit e partnerëve ndërkombëtarë vetëm sa kanë marrë shënime në lidhje me qëndrimet e secilës palë.

Më herët, si ambasadorja e SHBA, dhe ai i BE-së e UK-së, janë shprehur se Parlamenti duhet të miratojë draftin e amendimeve në Kodin Zgjedhor sipas marrëveshjes së 5 qershorit.