AKTUALITET, 23 Prill 2021, 22:13

Meta zbulon mesazhin për ambasadoren Yuri Kim: Nëse do të reagonit për ngjarjen në Kavajë, do të ishte parandaluar vrasja në Elbasan

Meta zbulon mesazhin për ambasadoren Yuri Kim: Nëse do të

Presidenti Ilir Meta ka zbuluar këtë mbrëmje mesazhin që i ka dërguar ambasadores Yuri Kim, pas plagosjes së aktivistit të PD brenda zyrës elektorale në Kavaj, Bledar Okshtuni.

I ftuar në një studio televizive natën e fundit të fushatës elektorale, Kreu i Shtetit është shprehur se i ka thënë ambasadores Kim se, “Nëse ju, do të reagonit pas ngjarjes së Kavajës, do ishte parandaluar edhe ngjarja e ndodhur në Elbasan”.

Pra, sipas Presidentit, nëse ndërkombëtarët do të kishin reaguar për ngjarjen e Kavajës, do të ishte parandaluar vrasja e Pjerin Xhuvanit në Elbasan.

Pjesë nga biseda:

U kam thënë ndërkombëtarëve reagoni sot, se nesër do jetë tepër vonë. Nuk kemi nevojë që të huajt të reagojnë ditën e hënë. Ambasadores amerikane i kam thënë: “Nuk duhet të kishit toleruar Edi Ramën kur prishi marrëveshjen e 5 qershorit, e cila u nënshkrua në selinë e Ambasadës Amerikane. Nëse ju, do të reagonit pas ngjarjes së Kavajës, do ishte parandaluar edhe ngjarja e ndodhur në Elbasan”.

Prokuroria e Elbasanit është në konflikt interesi sepse është pjesë e fushatës elektorale. Prokuroria e Elbasanit është shtabi kryesor dhe mbrojtëse e Partisë Socialiste.

Për çdo pikë gjaku që derdhet në Shqipëri, dhe nuk reagohet për të vënë fajtorët para drejtësisë, përgjegjës do jete Edi Rama, SPAK, Prokuroria dhe Policia e Shtetit.

Përsëris thirrjen që të arrestohen drejtuesit e AKSHI-t, sepse unë ende nuk kam një përgjigje për pyetjet që kam bërë.

Skandali i AKSH-it, po trondit gjithë botën, ne jemi një vend i NATO-s. Nuk mund të vidhen të dhënat e qytetareve dhe të mos ketë një reagim dhe një përgjigje se çfarë ka ndodhur.

Cenohet siguria kombëtare me daljen e këtyre të dhënave, SPAK të reagoj menjëherë.

Është përgjegjësi e organeve të drejtësisë, nëse nuk zbardhen krimet zgjedhore si dosja e Dibrës dhe e Shijakut. Ëngjëll Agaçi dhe gjithë të tjetër e aferës së inceneratorëve sot, duhet të ishin në burg dhe nuk po reagohet.