AKTUALITET, 15 Maj 2021, 10:56

Meta mesazh për ndarjen nga jeta të legjendës së boksit Ahmet Golemit: Pusho në paqe Mjeshtër!

Meta mesazh për ndarjen nga jeta të legjendës së boksit

Presidenti Ilir Meta iu është bashkuar ngushëllimeve për ndarjen nga jeta të mjeshtrit të ringut, Ahmet Golemi.

Përmes një mesazhi, kreu i shtetit thekson se Golemi ishte pioneri i boksit, ndërsa shtoi se ai do të mbetet “universitet” për brezat e sportistëve të rinj shqiptarë.

Postimi i Metës:

I hidhur dhe i rëndë lajmi për ndarjen nga jeta të intelektualit të ringut, “Kasus Klejit shqiptar”, Ahmet Golemi.

Pioner i boksit tonë profesionist, pesë herë kampion dhe katër herë nënkampion, ai sfidoi në “duel” edhe vetë regjimin në emër të mbrojtjes së pasionit të tij, për t’u ringritur sërish më i fortë si shkrimtar i talentuar, gazetar dhe komentator i papërsëritshëm dhe shumë i dashur sportiv.

Mjeshtri i Madh Ahmet Golemi do të mbetet një “universitet” për brezat e sportistëve të rinj shqiptarë, intelektual i rrallë dhe qytetar aktiv, roli i të cilit në çdo pozitë që luajti dhe mbajti, vështirë të zëvendësohet.

Duke ndarë dhembjen e madhe dhe ngushëllimet më të ndjera me familjen e Tij, miqtë e kolegët, gjendem sot pranë tyre në këto momente të vështira.

Pusho në paqe Mjeshtër! Përherë i paharruar kujtimi yt! ???