AKTUALITET, 8 Gusht 2021, 10:21

Meta kujton eksodin e 1991: 20 mijë shqiptarë zbarkuan në brigjet e Italisë. Reflektim mbi sakrificat e jashtëzakonshme njerëzore

Meta kujton eksodin e 1991: 20 mijë shqiptarë zbarkuan në brigjet

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka kujtuar sot eksodin e 1991, kur mijëra shqiptarë u nisën me anije drejt brigjeve të Italisë.

Meta shkruan se anija ‘Vlora’ me gjithë simbolikën dhe kujtimet e gjalla na fton për një reflektim për sakrificat e jashtëzakonshme njerëzore.

Ai thekson se sot drama më e madhe për vendin është shpopullimi.

Postimi i plotë:

?? Si sot 30 vite më parë, më 8 gusht 1991, rreth 20 mijë shqiptarë zbarkuan në brigjet e Italisë, në kërkim të lirisë dhe shpresës, duke i dëshmuar botës tragjedinë dhe mjerimin e popullit më të shtypur dhe të izoluar të kontinentit.

Anija ‘Vlora’, me të gjithë simbolikën, emocionet e forta dhe kujtimet e gjalla që risjell, na fton për një reflektim të thellë mbi sakrificat e jashtëzakonshme njerëzore, në emër të së cilave duhet të punojmë, për të ndërtuar një të ardhme më të mirë dhe dinjitoze për qytetarët tanë, veçanërisht kur shpopullimi është drama më e madhe, që po i ndodh vendit.