AKTUALITET, 7 Mars 2020, 19:38

Meta komenton raportin paraprak të Venecias: Askush të mos dalë mbi Kushtetutën dhe ligjin

Meta komenton raportin paraprak të Venecias: Askush të mos dalë

Presidenti Ilir Meta ka komentuar nga Shkodra draftin paraprak të publikuar nga Komisioni i Venecias për emërimet në Gjyaktën Kushtetuese. I pranishëm në ndeshjen e basketbollit “Vllaznia-Tirana” që po zhvillohet në Shkodër, Meta dha një prononcim përpara mediave. Kreu i Shtetit u shpreh se Kushtetutën e Shipërisë e ka shkruar vetë Venecia dhe tashmë gjithçka është çështje e drejtësisë së hetimit, e cila sipas Metës duhet të veprojë në mënyrë që askush të mos dalë mbi Kushtetutën dhe ligjin.

“Nuk mendoj se kjo është një çështje e Venecias sepse Kushtetutën e Shqipërisë, Venecia e ka shkruajtur. Kjo ka qenë dhe mbetet prej 15 ditësh një çështje e drejtësisë së hetimit që të bëjë veprojë, të bëjë veprimet e duhura në mënyrë që askush të mos dalë mbi ligjin dhe Kushtetutën. Nuk e komentoj sepse në dokument ka pasur konfidencialitet, por ua kam thënë që Kushtetutën tonë sidomos për Gjykatën Kushtetuese e ka shkruar vetë Venecia,”- tha Meta.

I pyetur nëse ka patur ndonjë reflektim nga ana e maxhorancës, Meta tha se aty ka shkuar për të parë një spektakël ndeshjeje dhe se është i lumtur që Vllaznia vazhdon të shkëlqejë në lojërat me dorë. “Këtu kemi ardhur për të parë një spektakël. Jam i lumtur që Vallznia vijon të shkëlqejë,”– tha Meta.

Komisioni i Venecias ende nuk ka një raport final për çështjen e emërimit të anëtarëve në Gjykatën Kushtetuese, por mësohet se në opinionin paraprak konstatohet se mënyra e veprimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi është e dyshimtë dhe se ligji për ndryshimin e betimit tek Presidenti është antikushtetues. Në opinion paraprak thuhet se Meta ka vepruar sipas Kushtetutës me emërimin e anëtarëve në Gjykatën Kushtetuese dhe nuk e ka shkelur atë.