AKTUALITET, 16 Qershor 2018, 17:16

Mesi gabon nga pika e bardhë, Argjentina nuk fiton dot me Islandën

Lionel Mesi gaboi nga pika e bardhë (64’), duke i hequr mundësinë Argjentinës së tij të fitonte ndaj një Islande “kokëfortë” në barazimin 1-1 për grupin D, teksa kjo e fundit feston nesër Ditën e Pavarësisë.

Mesi humbi një tjetër shans, për të treguar edhe njëherë se është krejt ndryshe nga ai që luan në Barcelonë dhe fitoi “Këpucën e Artë” të Spanjës dhe Europës, si golashënuesi më i mirë i pesë kompeticioneve më të forta në Europë.

Aguero hapi takimin me golin e tij të minutës së 19-të, por katër minuta më pas, Islanda barazoi me anë të Finbogasonin (23’).

Portieri i Islandës, Hannes Haldorson u zgjodh edhe si lojtari i takimit, pasi i mohoi disa gola të sigurt Argjentinës, përfshirë edhe penalltinë e Mesit, të fituar nga Aguero pas kontaktit me Mangusonin.

/TPZ.AL/