AKTUALITET, 16 Mars 2021, 12:26

“Me Ramën, arsimi në kaos”, Vokshi fton mësuesit t’i bashkohen PD: Arsimi cilësor do të jetë prioriteti ynë

“Me Ramën, arsimi në kaos”, Vokshi fton mësuesit

Në një takim me mësues të arsimit parauniversitar, koordinatorja politike e PD, Albana Vokshi ngriti shqetësimin e degradimit të sistemit arsimor gjatë tetë viteve të qeverisë Rama.

Bashkë me mësuesit, u vu në dukje braktisja e qeverisë gjatë këtij viti të pandemisë, ku nuk u investua asgjë as për sigurinë në shkolla, as për mësimin online.

“Më shumë se gjysma e nxënësve nuk kanë internet ose mjetet e duhura për shkollën online. Qeveria ka stimuluar uljen e cilësisë së mësimdhënies, duke mos investuar asnjë qindarkë për arsimin online.

Mësimi online ka dështuar, sepse qeveria ka dështuar, duke rrezikuar që të rritet një brez covid”- tha Albana Vokshi, duke u mbështetur nga vete mësuesit.

Ata theksuan se në këtë kaos ku gjendet arsimi, nxënësit po dalin nga bankat e shkollës me shumë boshllëqe. Mësuesit ngritën edhe problemin e orëve shtesë të papaguara, duke e cilësuar sjelljen e qeverisë si keqtrajtim ndaj tyre.

“Pavarësisht braktisjes nga qeveria, dua t’ju falenderoj që nuk hiqni dorë, duke ju garantuar se me PD në qeveri, mësuesi, pedagogu do të jetë në qendër të vëmendjes, që arsimimi cilësor të jetë prioriteti ynë.

Nëse një qeveri nuk investon në arsim, është një shoqëri e prapambetur.

Prandaj ne do të investojmë në arsim, edhe si investimi më i madh që i kthehet ekonomisë dhe shoqërisë.”- theksoi Albana Vokshi, duke ftuar mësuesit të bashkohen me PD në zgjedhjet e 25 Prillit.