BOTA, 23 Qershor 2021, 20:19

Mbyllet gazeta më e madhe pro-demokracisë në Hong Kong, vendimi vjen pas arrestimit të…

Mbyllet gazeta më e madhe pro-demokracisë në Hong Kong, vendimi


Gazeta më e madhe pro-demokracisë në Hong Kong “Apple Daily”, ka njoftuar se do të mbyllet gjatë kësaj jave.

Një vendim i tillë godet rëndë lirinë e medias në këtë qytet.

Bordi i drejtorëve ka thënë më 23 qershor se edicionet e printuara dhe ato online, nuk do të publikohen pas 26 qershorit, për shkak të “situatës aktuale në Hong Kong”.

Ky vendim vjen pas arrestimit të kryeredaktorit të gazetës dhe pesë zyrtarëve të tjerë ekzekutivë, pas dyshimeve se ata kanë shkelur Ligjin e ri për siguri kombëtare.

Zyrtarët po ashtu kanë ngrirë asetet në vlerë të 2.3 milionë dollarëve, që kanë qenë në pronësi të kompanive të lidhura me gazetën.

Policia ka cituar dhjetëra artikuj të publikuar nga Apple Daily si të dhëna për komplotet e supozuara për vendosje të sanksioneve të huaja ndaj Hong Kongut dhe Kinës.

Pronari miliarder i gazetës dhe themeluesi Jimmy Lai, është dënuar me burgim për pjesëmarrje në protestat pro-demokracisë, të cilat kanë shpërthyer në Hong Kong më 2019 dhe kanë sfiduar udhëheqësinë e Pekinit.

Ai përballet edhe me akuza të reja nën Ligjin për siguri kombëtare, përfshirë bashkëpunimin me shtete të huaja.

Ligji, që është kritikuar ndërkombëtarisht, i kthen në vepra penale: thirrjet për shkëputje të territorit, terrorizmin, bashkëpunimin me forcat e huaja dhe përfshin edhe ndëshkimin për burgim të përjetshëm.

Autoritetet në Pekin dhe Hong Kong, kanë thënë se legjislacioni ka qenë i nevojshëm për të sjellë stabilitet, por kritikët besojnë se ai synon të heshtë disidentët.

Më shumë se 100 persona janë arrestuar nën këtë ligj.

Hong Kongu është pjesë e Kinës, mirëpo funksionon sipas organizimit “një shtet, dy sisteme”, çka nënkupton se ky qytet ka sistemin e vet ligjor dhe të drejtat, që përfshijnë atë për liri të shprehjes dhe liri të shtypit.

Shumë persona në Hong Kong, ashtu sikurse edhe grupe për të drejta të njeriut në demokracitë perëndimore, kanë akuzuar Pekinin për shkatërrim të lirive dhe autonomisë së këtij qyteti në vitet e fundit.