AKTUALITET, 8 Janar 2019, 12:22

Marrja e shtetësisë, Meta i përgjigjet qytetarit: Ja si veprohet

Presidenti i Republikës, Ilir Meta i është përgjigjur ankesës së një qytetari nga Kosova, i cili thotë se ka aplikuar për shtetësinë shqiptare dhe i është refuzuar kërkesa.

Qytetari nga Kosova i ka shkruar presidentit në Facebook, ndërsa Meta i ka kthyer përgjigje dhe e vë në dijeni se nga verifikimi i kryer në Institucionin e Presidentit nuk ka asnjë praktikë të administruar me emrin e tij.

Gjithashtu Presidenti Meta i ka kërkuar edhe një takim miqësor qytetarit për t’u njohur nga afër me problemin e tij.

Qytetari:

Respekte zotri President. Deshta te bej nje pytje. Si ka mundesi. Qe une kam dy prindrit nga shqiperia. Te lindur te rritur. Te martuar.

Ne rethin e Kukesit. Gjat viteve te 50-ta te ikur ne Jugosllavi. Tani jetoj ne Republiken e Kosoves. Kam apiku vitin e kaluar per shtetesi shqiptare. Dhe me esht refuzuar. Si ka mundesi qe te mos me takoj shtetesia e prinderve.

Ndersa prindet tash me te ndjer kan qene te paisur me pasaporta shqipetare. Me shpres qe ky shkrim i imi te lexohet nga ju. Shpresoj te pakten te me jepet nje shpjegim. Me shum rrespekt. Naim Peposhi.

Përgjigja e Presidentit:

Përshëndetje z.Peposhi! U informova nga administrata për rastin tuaj dhe nga verifikimi i kryer rezulton se në Institucionin e Presidentit të Republikës nuk ka asnjë praktikë të administruar me emrin Naim Peposhi.

Ndoshta këto kërkesa janë depozituar në Ministrinë e Brendshme, por për sqarime të mëtejshme në lidhje me proçedurat e marrjes/fitimit të shtetësisë shqiptare dhe trajtimit sipas ligjit, ju mund të kontaktoni në këto numra +35542389801; +35542389853 me zyrën përkatëse që trajton çështjet e shtetësive.

Gjithashtu kur të jeni në Tiranë nëpërmjet numrave të mësipërm, ju mirëpres për një takim miqësor në zyrën time. Me respekt, Ilir Meta.