AKTUALITET, 12 Janar 2020, 23:56

Mançester Siti e kthen në tenis, me tre golat e Agueros bëhet gjithçka e lehtë

Mançester Siti e kthen në tenis, me tre golat e Agueros bëhet

Gara për titullin kampion duket e mbyllur, me Liverpulin e arratisur dhe në pamje të parë të pakapshëm në këtë edicion, por Mançester Siti i Pep Guardiolës kërkon që të paktën të ngushtojë diferencën që ajo të mos duket kaq turpëruese sa është aktualisht dhe provën e ka dhënë sot me një fitore të thellë 6-1 në fushën e Aston Vilës.

Sigurisht, kundërshtari që kishin përballë kampionët në fuqi nuk ishte ndër më të vështirët e mundshëm, por gjithsesi skuadra e drejtuar nga trajneri spanjoll ka ditur të shfaqet vdekjeprurëse para portës kundërshtare sa herë është shfaqur para katërkëndorit. Dy gola të Mahrez, si dhe nga një të Aguero e Zhezus që në pjesën e parë bënë të qartë se çfarë rrjedhe do të merrte ndeshja, duke mbyllur 4-0 këtë fraksion loje.

Në pjesën e dytë, sulmuesi argjentinas gjeti edhe dy herë të tjera rrjetën duke çuar shifrat në 6-0, ndërsa vetëm penalltia e El Gazi në minutat shtesë të duelit bëri që Aston Vila të kishte të paktën gëzimin e golit të nderit.

Me këtë fitore Mançester Siti ka rimarrë vendin e dytë në klasifikim duke kaluar Leisterin, por mbetet 14 pikë larg Liverpulit kryesues, që ka luajtur një ndeshje më pak.