TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Një nga ëmbëlsirat më të pëlqyera në vendet e Amerikës Latine dhe asaj Qendrore është tres leches, ose siç e njohim trileçe.
Shumë vende të Amerikës Latine pretendojnë të kenë shpikur këtë ëmbëlsirë por Meksika është vendi që ka afrimitetin më të madh me recetën fillestare të saj.
Gjurmët më të hershme të kësaj ëmbëlsire me bazë llojesh të ndryshme qumështi gjenden pikërisht në fabrikën e prodhimit të qumështit Nestle në shekullin e 19-të në Meksikë.
Receta u printua në shishet e qumështit Panda me qëllim për të nxitur shitjet e tij. Receta mori dhenë dhe në të gjithë Amerikën Latine e Qendrore, kjo ëmbëlsirë nisi të gatuhej në çdo shtëpi.
Trileçe, receta që Shqipëria i mësoi Turqisë
Rrugëtimi i Trileçes në mbarë botën është pritur me kërshëri edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në fakt, të dhënat tregojnë se Shqipëria besohet të jetë vendi i parë në Ballkan që përvetësoi recetën e trileçes.
Sipas këtyre të dhënave, frymëzimi erdhi nga një telenovelë braziliane ku protagonistët u shfaqën duke lavdëruar këtë ëmbëlsirë të veçantë.
Receta u përshtat më së miri në kulinarinë shqiptare dhe më pas diku rreth vitit 2014, udhëtoi drejt Turqisë ku u përhap masivisht.
Në Turqi, gazetat u desh të shkruanin artikuj për origjinën e trileçes, pasi populli, i referohej asaj me fjalët “ajo ëmbëlsira shqiptare.”
Këtë e konfirmon edhe ky artikull i gazetës Hyrriyet i publikuar në vitin 2015 mbi fenomenin e trileçes.
Sipas artikullit, kur bota shikonte telenovela spanjolle, të gjithë marroseshin pas personazheve, mesa duket shqiptarët mësonin receta të reja.
Një recetë latine e trileçes
Për kekun:
Gjalpë
Të verdhat dhe të bardhat e pesë vezëve
1 filxhan çaji sheqer
1 filxhan çaji miell shumë-përdorimësh
1 lugë e gjysmë çaji pluhur pjekës
2 lugë çaji liker kafeje
350 ml qumësht të zier
450 ml qumësht Panda
420 ml qumësht i arrës së kokosit
2 lugë gjelle rum.
Për kremin
2 filxhanë çaji krem pana
4 lugë gjelle sheqer pluhur
1 lugë çaji ekstrakt vaniljeje
Kanellë dhe arrëmyshk
Përgatitja:
Ndizeni furrën dhe lyejeni tavën me gjalpë.
Në një mikser shtëpie rrihni të bardhat e vezës deri sa të bëhen shkumë për rreth 2 minuta.
Më pas shtoni sheqerin dhe të verdhat e vezës një e nga një.
Pasi të jenë rrahur mirë, përzieni miellin me pluhurin pjekës,
Shtoni qumështin dhe likerin e kafesë dhe brumin e ëmbëlsirës hidheni në tavë.
Piqeni për 30 minuta dhe lëreni të ftohet për 15 minuta të tjera.
Ndërkohë në një enë tjetër rrihni të qumështin panda, atë të arrës së kokosit dhe rumin dhe hidhjani sipër ëmbëlsirës.
Mbulojeni me letër alumini dhe lëreni në frigorifer për 2 orë.
Në një mikser elektrik përzieni krem panën, sheqerin pluhur dhe vaniljen për 4-5 minuta.
Kremin hidhjani sipër ëmbëlsirës së ftohur dhe sipër tij hidhni arrëmyshk dhe kanellë.
Servireni menjëherë. /AgroWeb.org