TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Këtë verë, astronomët profesionistë dhe amatorë do t’ia ngulin sytë një yjësie të vogël. Nuk janë shtatë yjet e “Kurorës së Veriut” që kanë ngjallur kaq kureshtje, por një pikë e zezë midis tyre, një nova që do të mund të shihet me sy të lirë nga planeti ynë, raporton NASA.
“Është një ngjarje e rrallë që do të gjenerojë shumë astronomë sepse të rinjtë do të mund të shohin një ngjarje kozmike, të bëjnë pyetjet e tyre dhe të koleksionojnë të dhëna”, tha dr. Rebekah Hounsell. “Do të nxisë gjeneratën e shkencëtarëve të ardhshëm”.
T Coronae Borealis ose “Ylli i flaktë”, njihet nga astronomët si T CrB. Është një sistem binar që e ka folenë në Kurorën e Veriut, rreth 3000 vite dritë larg nga Toka. Sistemi përbëhet nga një xhuxh i bardhë, pra një yll i vdekur me përmasa sa planeti ynë dhe rëndesë të krahasueshme me Diellin si dhe një gjigant i lashtë i kuq që po humbet ngadalë hidrogjenin për shkak të forcës tërheqëse të fqinjit të tij.
Hidrogjeni nga gjiganti i kuq shtresëzohet në sipërfaqen e xhuxhit të bardhë duke grumbulluar presionin dhe nxehtësinë. Kështu ai nxit një shpërthim termonuklear kaq të madh sa mjafton që ta largojë gjithë materialin. Për T CrB, kjo ndodh mesatarisht një herë në 80 vjet.
Mos ngatërroni novën me supernovën që është një shpërthim total, titanik që shkatërron disa yje që po vdesin. Në rastin e novës, ylli xhuxh mbetet i paprekur dhe thjesht largon të gjithë materien e grumbulluar sa hap e mbyll sytë. Procesi përsëritet për qindra e mijëra vjet.
“Ka disa nova me cikël të shkurtër, por ne nuk shohim shpesh një shpërthim të radhës gjatë jetës tonë njerëzore e aq më rrallë një që është kaq afër sistemit tonë diellor. Është bukur të kesh sedilje në vendin e parë”.
Nova T CrB u pa për herë të fundit nga Toka në vitin 1946. Shkencëtarët janë bazuar në shenjat e shpërthimit të atij viti dhe sipas përllogaritjes, i radhës do të jetë në shtator 2024.
Por çfarë duhet të kërkojmë në qiell?
Kurora e Veriut është një linjë e lakuar yjesh në formë patkoi në perëndim të yjësisë së Herkulit. Mjafton të gjeni dy yjet më të ndritshme të hemisferës veriore, Arcturus dhe Vega e duke ndjekur një vijë të drejtë nga njëri te tjetri, mund të gjeni Herkulin dhe Kurorën e Veriut.
Shpërthimi do të jetë i shkurtër. Pasi të ndodhë, do të duket me sy të lirë për më pak se një javë.