LIFESTYLE, 21 Mars 2024, 16:47

Historike, gjendet një metodë për të pastruar qelizat nga virusi HIV

Historike, gjendet një metodë për të pastruar qelizat nga

Një grup shkencëtarësh arrijnë për të parën herë të pastrojnë plotësisht qelizat e infektuara me HIV/AIDS. Arritjen e madhe e bëri një ekip i Universitetit të Amsterdamit, që aplikoi me sukses metodën Crispr, e vlerësuar me çmimin Nobel në Kimi në vitin 2020.

Shkencëtarët përdorën këtë metodë që mundëson bërjen e ndryshimeve në gjene për të shkëputur pjesët e virusit HIV të bashkuara me ADN-në e qelizave. Praktika është si të përdorësh një gërshërë në rrafshin molekular për të prerë atë pjesëz të qelizës që është e infektuar me HIV.

Ilaçet që përdoren aktualisht për të kuruar të sëmurët me HIV/AIDS, mbajnë nën kontroll dëmet që shkakton virusi në trup, duke arritur të shtojnë jetëgjatësinë e të infektuarve, por nuk e eliminojnë dot. Metoda e re është për momentin e paaplikueshme tek të sëmurët dhe është në fazat e testimit laboratorik. Synimi i radhës gjetja e mënyrave për ta testuar së shpejti tek të sëmurët për shërimin e tyre të plotë.