IDE, 27 Maj 2019, 19:58

Letrat si ilaç për kryeministrin e sëmurë

Letrat si ilaç për kryeministrin e sëmurë


Nga Jeta Dedja

Gazeta e Shoqatës Mjekësore Amerikane (vol 281, nr 14), para disa vitesh publikoi një studim të Joshua Smyth mbi efektet e të shkruarit në gjendjen fizike tek pacientët që vuanin nga Astma dhe Artriti reumatik.

107 pacientë që morën pjesë në këtë studim, shkruan 3 ditë rresht nga një letër. 70 prej tyre shkruan mbi ngjarje stresuese të jetës dhe të tjerët për çështje neutrale.

Pas ushtrimit të të shkruarit, u vu re që pacientët që shkruan për ngjarjet stresante patën përmirësime në shëndetin e tyre. Kështu që studiuesit nxorën konkluzionin se procesi i të shkruarit mbi çështjet shqetësuese ndihmon në shërimin e pacientit.

Ky studim më kujtoi kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, i cili ndryshe nga pacientët e Smithit ka shkruar më tepër se 3 letra. Sigurisht që në letrat e tij nuk ka folur për çështje neutrale e as se çfarë do të hajë për drekë, por ka shkruar për një ngjarje madhore siç është kriza politike e vendit, protestat e opozitës që në këtë rast mund të cilësohen ngjarje traumatike, stresuese, ngacmuese, gjumëprishëse të kryeministrit të vendit.

Përmes gjuhës së “dashurisë” dhe ironisë së shplarë prej viteve të konsumit në jetën publike, Edi Rama i drejtohet Lulzim Bashës si Tatiana e përvëluar Onieginit. Vetëm se Tatiana u mjaftua me një letër, ndërsa përdëllimtari ynë, jo për Lulzimin, por për atdheun nuk po ndalet.

Më duhet t’i them kryeministrit se të shkruarit kompulsiv i letrave për të njëjtën temë (6 copë deri më sot) në vend që t’i sjellë benefitet që studiuesit prej 10 vitesh i kanë vërtetuar, mund t’i shkaktojë dëme në shëndetin fizik si dhe atë mendor, sidomos nëse këto letra Kryeministri i shkruan vetëm në zyrën e tij, pa konsulencë psikologjike ose nën këshillat e dobëta të zanatçinjve të tepsisë.

Letrat e kryeministrit shqiptar janë kthyer në objekt talljeje mes qytetarëve që guxojnë të flasin. Ata numërojnë dhe presin ushtrimin e radhës të terapisë së të shkruarit që kryeministri i vendit me krenari e publikon duke i treguar gjithë botës së është rëndë, po shumë rëndë… /Flasshqip.ca/