AKTUALITET, 31 Mars 2019, 20:08

Lënda plasëse në Vlorë/ Policia dyshon për bombë me telekomandë, priten forcat xheniere

Lënda plasëse në Vlorë/ Policia dyshon për bombë

Policia e qytetit të Vlorës ka bllokuar plotësisht rrugën e lagjes “10 Korriku”, pasi është raportuar për një sasie të dyshuar si lëndë plasëse e hedhur në këtë zonë.

Forcat e shumta të policisë kanë siguruar perimetrin e rrugës, duke mos lejuar kalimin e automjeteve, por as të këmbësorëve.

Ende nuk dihet se si ka përfunduar kjo lëndë eksplozive në këtë rrugë të qytetit të Vlorës, por dyshohet se mund të ketë rënë nga një makinë në lëvizje.

Në këtë zonë forcat e policisë janë ende në pritje të forcave xhenierë të cilët do të bëjnë vlerësimin sasisë së dyshuar si lëndë plasëse dhe demontimin e saj.

Edhe pse ngjarja është raportuar rreth orës 19:30, në vendngjarje nuk kanë mbërritur ende forcat xheniere. Mësohet se ekspertët janë nisur nga Tirana për në Vlorë për të bërë ekspertizën e pakos të dyshuar për bombë.

Dyshohet se lënda plasëse është e montuar me një komandë në distancë. Sipas informacioneve paraprake, burime nga policia bëjnë të ditur se lënda eksplozive dyshohet se është e lidhur me një aparat celular, mekanizëm që përdoret për shpërthimet në distancë.