AKTUALITET, 13 Nëntor 2019, 16:08

Lavrov flet për Kosovën në Paris: E shpalli pavarësinë pa referendum dhe u njoh menjëherë nga Perëndimi

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka bërë krahasim në mes të Krimesë dhe Kosovës, teksa ka kritikuar perëndimin në një takim pyetje-përgjigje, të organizuar në kuadër të Forumit të Paqes në Paris.

Ai ka akuzuar shtetet perëndimore për standarde të dyfishta, meqë sipas Lavrovit “kur diçka është në interes të perëndimit, ata e konsiderojnë të drejtën e njerëzve për vetëvendosje si të shenjtë, mirëpo kur diçka nuk lidhet me interesat e tyre, atëherë ata e shpallin këtë të drejtë si të paligjshme”.

Ilustrim i këtyre deklaratave ka qenë Kosova dhe Krimea. “Krahasoni Kosovën dhe Krimenë: një referendum është mbajtur në Krime dhe nuk ka pasur referendum në Kosovë. Megjithatë Kosova është njohur menjëherë si shtet i pavarur nga shumica e vendeve perëndimore”, ka thënë ai, shkruan Rel.