AKTUALITET, 25 Gusht 2020, 14:34

Kush është ish-anëtari i “Poter Al” dhe “biznesmeni”, që u nisi ultimatum OFL-ja


“Forca e Ligjit” iu rikthye dje Elbasanit, ku u dorëzoi formularin për të deklaruar pasurinë 4 të dënuarve, dy prej të cilëve për trafik narkotikësh e dy të tjerët për shfrytëzim prostitucioni e vjedhje me dhunë.

Dy të dënuarit për çështje droge nuk janë emra të panjohur për Policinë, por edhe për mediat. Bëhet fjalë për një “biznesmen” që është arrestuar dy herë gjatë viteve të fundit me qëllim ekstradimi drejt Italisë dhe në të dy rastet ka arritur që të qëndrojë në Shqipëri.

Ndërsa tjetri është një 55- vjeçar, ish-anëtar i grupit të njohur me emrin e operacionit kur u godit “Poter Al”

Vangjel Kondili, anëtari i grupit “Poter-Al”, i dënuar në korrik të vitit 2009 nga Gjykata e Krimeve të Rënda, u ekstradua nga Spanja drejt Shqipërisë më 7 mars të vitit 2014.

Burime nga Policia e Elbasanit kanë bërë të ditur në atë kohë se Kondili është ekstraduar pasi duhet të vuajë dënimin prej 10 vitesh burg. “Ekstradohet nga Spanja për në Shqipëri, Vangjel Kondili, 49 vjeç, banues në Elbasan.

Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda Tiranë, në bazë të vendimit të dhënë e ka dënuar me 10 vjet burg, për veprën penale të ‘trafikimit të narkotikëve’”, thuhej në njoftimin e Policisë. Pas ekstradimit, Vangjel Kondili i është dorëzuar Policisë së Burgjeve. Gjykata e Krimeve të Rënda ka dënuar në 22 korrik 2009, me 63 vjet burg 6 të pandehurit e grupit kriminal “Poter Al”.

Të pandehurit akuzoheshin për trafikun e heroinës dhe kokainës në pesë shtete duke përdorur korrierë të huaj. Pas ekstradimit, Vangjel Kondili bëri kërkesë në Gjykatën e Lartë për rishikimin e vendimit të dhënë në mungesë të tij në vitin 2009.

Sipas vendimit të Gjykatës së Lartë, që në vitin 2016 vendosi pushimin e kësaj kërkese, Kondili më datë 17.04.2014 kishte paraqitur kërkesë për rishikimin e vendimit nr. 45, datë 20.07.2009 të Gjykatës së Shkallës së Parë Për Krimet e Rënda, me të cilin është deklaruar fajtor dhe është dënuar për kryerjen e veprës penale të “Trafikimit të narkotikëve”, parashikuar nga neni 283/a-2 i Kodit Penal me 10 vjet burgim.

BIZNESMENI

Personazhi tjetër që mori letër nga OFL-ja është Afrim Tarelli (Zeneli), pronar i një kompleksi të njohur në Elbasan. Ai është arrestua gjatë kohës së karantinës më 1 prill, me masë “Qëndrim në shtëpi”, deri në krijimin e kushteve për ekstradimin e tij në Itali. Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, në zbatim të urdhrit të prokurorit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, kanë ekzekutuar vendimin penal të Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për ekstradimin e shtetasit Afrim Tarelli (Zeneli), 48 vjeç.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan ka lejuar ekstradimin e këtij shtetasi nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Italisë dhe dorëzimin për ekstradim të këtij shtetasi, me qëllim ekzekutimin e formës së prerë dhënë nga Gjykata e Apelit Torino, Itali, sipas së cilës ky shtetas është dënuar me 6 vjet e 10 muaj burgim. Shtetasi Afrim Zeneli alias Tarelli është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan dhe i është komunikuar vendimi penal i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, e cila ka përfunduar procedurat gjyqësore për ekstradimin e këtij shtetasi drejt shtetit italian, për efekt të vuajtjes së dënimit me burgim, të formës së prerë.

“Për këtë shtetas, deri në krijimin e kushteve nga pala italiane për ekstradimin e tij, urdhërohet ‘Qëndrimi në shtëpi’ dhe shkelja e këtij detyrimi përbën veprën penale ‘Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit’”, shprehej zyrtarisht Policia. Ai ishte arrestuar edhe më herët në Vlorë, për të njëjtin qëllim, por nuk u ekstradua drejt Italisë.

PANORAMA