TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Në Parlamentin e Greqisë është zhvilluar një interpelancë me ministrin e Jashtëm, Giorgos Gerapetritis, lidhur me procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Gerapetritis, duke iu përgjigjur një pyetjeje të deputetit të pavarur Michalis Hourdakis mbi zhvillimet në zonat e pakicës greke në Shqipëri, theksoi se integrimi i vendit tonë në BE lidhet ngushtë me respektimin e të drejtave pronësore të pakicave kombëtare.
“Procesi i pranimit të Shqipërisë është i mundur vetëm nëse respektohen plotësisht të drejtat pronësore të pakicave”, deklaroi ministri i Jashtëm grek, Giorgos Gerapetritis, në Parlament.
Ministri grek siguroi se Athina mbetet “plotësisht vigjilente”, duke theksuar se “duhet të ketë rezultate konkrete, në mënyrë që kapitujt përkatës të mund të mbyllen”.
Sipas tij, Greqia, e cila “mban çelësin” për të ardhmen evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, po monitoron nga afër çështjen e të drejtave pronësore dhe ia ka bërë të qartë homologut të saj shqiptar se nuk do të ketë përparim në procesin e anëtarësimit pa respektimin e këtyre të drejtave dhe pa rezultate të prekshme në kapitujt përkatës.
Më tej, kryediplomati grek theksoi se rruga evropiane e Shqipërisë kërkon përputhshmëri të plotë me të drejtën ndërkombëtare, veçanërisht me të drejtën detare.
Pas zhvillimeve të javëve të fundit, Gerapetritis bëri të qartë se përputhshmëria formale ligjore nuk është e mjaftueshme.
“Përputhshmëria rregullatore është e nevojshme, por jo e mjaftueshme. Duhet të ketë përputhshmëri edhe në praktikë”, tha ai.