AKTUALITET, 8 Prill 2019, 18:10

‘Kriza politike’/ Zyrtari i lartë amerikan, 90 minuta takim me Ramën


Ka zgjatur rreth një orë e gjysmë takimi mes zyrtarit të lartë amerikan, Zëvendës ndihmës sekretarit amerikan të shtetit, Matthew Palmer dhe kryeministrit Edi Rama. Situata politike ka qenë në fokus të takimit. I buzëqeshur, Palmer ka lënë Kryeministrinë i shoqëruar nga e ngarkuara me punë e SHBA-ve në ambasadën amerikane Leyla Moses Ones.

Vizita e zyrtarit amerikan i shërben zgjidhjes së krizës politike, pas përpjekjeve pa rezultat të europianëve. Por përveç kryeministrit Edi Rama, Palmer do të ketë takime edhe me liderë të tjerë ë vend.

Axhendë më të ngjeshur Palmer do të ketë ditën e martë, ku në mesditë do të takohet me kryetaren e LSI-, Monika Kryemadhi, në drekë është parashikuar takimi me kreun e opozitës Lulzim Basha ndërsa rreth orës 17:30 zyrtari amerikan do të pritet në Presidencë nga Kreu i Shtetit, Ilir Meta.

Pas takimeve me zyrtarët e lartë, mësohet se Matthew Palmer do të ketë një takim edhe me një grup gazetarësh shqiptarë.

Palmer vjen në Shqipëri në një kohë kur opozita e bashkuar ka djegur mandatet ndërsa ka paralajmëruar edhe protesta të vazhdueshme në vend, ndërsa mazhoranca po përgatitet për zgjedhje. Protestat e vazhdueshme paralel me seancat plenare shpesh herë janë shoqëruar me përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe forcave të policisë të pranishme në terren, për mbarëvartjen e situatës.