AKTUALITET, 8 Prill 2019, 16:45

Nacionalistët koalicion për zgjedhjet europiane

Nacionalistët koalicion për zgjedhjet europiane

Partitë nacionaliste europiane kanë njoftuar se kanë krijuar aleancë me qëllim të ndryshimit të balancës së pushtetit në Bashkimin Evropian.

Zëvendëskryeministri i Italisë, Matteo Salvini, nga partia e krahut të djathtë e njoftoi koalicionin në një konferencë për mediat në Milano. Ai u bashkua me AfD-në e ekstremit të djathtë të Gjermanisë, Partinë e Finlandës dhe Partinë Popullore të Danimarkës, shkruan BBC.

Ata po bëjnë fushatë në zgjedhjet e Parlamentit Evropian që mbahen nga data 23-26 maj. Partitë konkurrojnë në shtete të ndryshme, por planifikojnë të bëjnë një grup parlamentar: Aleanca Evropiane për Popullin dhe Kombet – për të sfiduar fuqinë e partive të qendrës.

“Ne duam të reformojmë Bashkimin Evropian dhe Parlamentin Evropian, pa i shkatërruar ata”, tha ai. “Ne duam të sjellim ndryshime rrënjësore”, nënvizoi Salvini.