AKTUALITET, 12 Gusht 2021, 11:10

Koronavirusi, Zelanda e Re do të mbajë të mbyllur kufijtë deri në fund të vitit

Koronavirusi, Zelanda e Re do të mbajë të mbyllur kufijtë

Zelanda e Re ka vendosur të mbajë të mbyllur kufijtë edhe këtë vit, të paktën deri në fund të vitit lajmëroi kryeministrja, Jacinda Ardern.

“Thjesht, ne ende nuk jemi në gjendje të rihapemi plotësisht”, tha Ardern, shkruan BBC.

“Kur të lëvizim në drejtim të ndryshimit të masave duam ta bëjmë me sa më shumë siguri që të jetë e mundur”, tha ajo duke shtuar se kjo strategji është mënyra më e mirë për të mbajtur koronavirusin e ri jashtë Zelandës së Re.

Zelanda e Re shihet si një nga vendet më të suksesshme në botë në kontrollin e pandemisë së COVID-19. Vendi ka regjistruar vetëm 26 vdekje në një popullsi prej pak më pak se pesë milionë njerëz.

Vitin e ardhshëm, kur vendi të rihapet, udhëtarët nga vendet me rrezik të ulët që janë të vaksinuar, sipas kryeministres, do të jenë në gjendje të vizitojnë Zelandën e Re, pa pasur nevojë të karantinës, ndërsa ata nga vendet me rrezik më të lartë do të duhet të izolohen ose të hyjnë në karantinë për 14 ditë.

Prioritet i autoriteteve të këtij vendi është vaksinimi i popullsisë deri në fund të vitit 2021.