AKTUALITET, 25 Mars 2019, 09:45

Kontrata gati, ja çfarë i kërkoi pasuesi i Panuccit presidentit Duka!

Kontrata gati, ja çfarë i kërkoi pasuesi i Panuccit presidentit

Pas ndeshjes me Andorrën, presidenti Armand Duka do të zbulojë emrin e trajnerit të ardhshëm të Shqipërisë, që do të pasojë Christian Panuçin dhe sigurisht që alternativa është Edy Reja, dikur ka drejtuar Napolin. Reja, madje, ka qenë edhe dikur në Shqipëri, për pushime në Vlorë.

Karriera e tij si trajner është e gjerë, me plot 23 skuadra, edhe pse do të ishte eksperienca e parë në një kombëtare. Ajo që bie në sy është fakti se 73 vjeçari ka 3 vite që nuk drejton asnjë skuadër, që pas eksperiencës së fundit te Atalanta.

Duka, madje, kishte gati edhe kontratën për trajnerin italian, por ky i fundit, pas takimit, ka kërkuar kohë. Sipas asaj që ka mësuar “Telesport”, Reja do të presë ndeshjen me Andorrën, për të vendosur më pas.

Të gjithë futbollistët do të jenë në monitorim dhe nëse bindet, atëherë do të hedhë hapin e sigurt. Flitet për një kontratë për eliminatoret e Europianit, me një rrogë të konsiderueshme, me mundësi rinovimi, në rast të ndonjë arritje.

“Do të reflektoj dhe kthej përgjigje!”, ka qenë fjalia e tij e fundit, përpara se të nisej për në Itali. Reja ndoqi Shqipëri-Turqi në prani të Shkumbin Qorrmemetit, agjentit të njohur, ndërsa më pas u takuan për rreth 1 orë me Dukën.

Igli Tare, drejtori sportiv i Lazios, mund ta ketë këshilluar Rejën, duke qenë se e ka pasur te Lazio dhe e njeh mjaft mirë.