TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Më shumë se 1 300 kilogramë lëndë narkotike janë sekuestruar gjatë tremujorit të tretë të vitit 2026 në aeroportin e Zyrihut, ndërsa 27 persona janë arrestuar në kuadër të operacioneve kundër trafikut të drogës.
Operacionet janë zhvilluar nga Policia Kantonale e Zyrihut në bashkëpunim me Zyrën Federale për Doganat dhe Sigurinë Kufitare.
Sipas autoriteteve zvicerane, gjatë kësaj periudhe janë sekuestruar rreth 963 kilogramë marihuanë, 11 kilogramë kokainë, rreth 14 kilogramë hashash, 319 kilogramë khat, afro 500 gramë kërpudha dhe 75 gramë metamfetaminë.
Në mesin e të arrestuarve janë 18 burra dhe 9 gra, të cilët vijnë nga gjithsej 15 shtete të ndryshme.
Një prej rasteve më të veçanta u zbulua në valixhen e një pasagjeri, ku autoritetet gjetën disa karamele Lollipop dhe produkte të tjera ushqimore të mbushura me më shumë se një kilogram kokainë.
Pasagjeri po udhëtonte nga São Paulo drejt Dublinit, ndërsa droga u zbulua gjatë kontrollit në aeroportin e Zyrihut.
Sipas Policisë Kantonale të Zyrihut, në 15 raste personat e dyshuar për kontrabandë kishin udhëtuar nga Bangkoku drejt Zyrihut. Në katër raste, origjina e udhëtimit ishte Tel Avivi, në tri raste São Paulo, ndërsa nga një rast kishte ardhur nga Hong Kongu, Toronto, Phnom Penh, Barcelona dhe Johanesburgu.
Sekuestrimet e tremujorit të tretë vijnë pas operacioneve të tjera të zhvilluara nga autoritetet zvicerane gjatë këtij viti. Në tremujorin e dytë të vitit 2026, në aeroportin e Zyrihut u sekuestruan më shumë se 900 kilogramë lëndë narkotike dhe u arrestuan 32 persona.
Ndërkohë, gjatë vitit 2025, autoritetet sekuestruan mbi 3.8 tonë lëndë narkotike në aeroportin e Zyrihut dhe arrestuan 94 persona të dyshuar për përfshirje në kontrabandë.
Policia Kantonale e Zyrihut dhe autoritetet doganore vijojnë hetimet për zbardhjen e rasteve dhe identifikimin e rrjeteve të përfshira në transportimin e lëndëve narkotike përmes aeroportit të Zyrihut.