AKTUALITET, 30 Shtator 2020, 05:18

Kaos dhe përplasje në debatin e parë presidencial, Trump thyen rregullat dhe flet pa pushim

Kaos dhe përplasje në debatin e parë presidencial, Trump thyen

Debati i parë presidencial, mes Donald Trump dhe Joe Biden, ka qenë një kaos i vërtetë.

Gjatë të gjithë debatit të nxehtë, veçanërisht presidenti Trump ka thyer rregullat e debatit, duke ndërhyrë dhe duke folur thuajse gjatë të gjithë kohës kur fliste kundërshtari i tij dhe duke e ndërprerë Biden për të gjitha temat, kur ai merrte fjalën.

Trump u "këshillua" disa herë nga moderatori i debatit, Wallace, që të zbatonte rregullat, madje Wallace me ironi, e ftoi Trump të ndërronin karrige dhe presidenti të merrte vendin e tij si moderator.

Moderatori i kujtoi gjithashtu presidentit, se ekipi i tij kishte rënë dakord me rregullat, por se Trump nuk po i zbatonte ato.

Gjatë debatit mes dy kandidatëve pati edhe sulme personale, Trump e quajti Biden, një njeri "jo të zgjuar".

"Mos e përdor fjalën i zgjuar me mua. Nuk ka asgjë të zgjuar tek ti, Joe", tha Trump.

Ndërsa Biden i'u drejtua presidentit me fjalët "a mund ta qepësh gojën?".

Një nga pikat kryesore të debatit ku palët u përplasën, ishte pandemia e koronavirusit dhe mënyra se si Trump e ka menaxhuar atë.

Biden paraqiti shifrat e fataliteteve dhe personave të infektuar, konkretisht 200 mijë persona të cilët kanë humbur jetën në SHBA dhe 40 mijë persona të infektuar çdo ditë, duke e lënë përgjegjësinë për këto, tek presidenti, ndërsa Trump tha se faji për virusin është i Kinës dhe se ai kë bërë një punë të mirë.

"Është faji i Kinës. Nuk duhet të kishte ndodhur. Ne kemi bërë një punë fantastike", u shpreh Trump.

Palët u përplasën edhe për çështjen e taksave të Trump, pas publikimit të një artikulli të New York Times, ku thuhet se Trump ka paguar vetëm 750 dollarë, taksa federale mbi të ardhurat  për vitin 2016 dhe 2017. Biden tha se presidenti ka paguar më pak taksa se sa një mësues, ndërsa Trump vijoi ta quajë lajmin e NY Times "të rremë" dhe tha se ai ka paguar "miliona dollarë taksa".

Trump gjithashtu u mbrojt duke thënë se biznesmenët në përgjithësi përpiqen të paguajnë sa më pak taksa.

"Unë nuk dua të paguaj taksa. Përpara se të mbërrija këtu, unë isha një sipërmarrës privat, isha një biznesmen privat. Si çdo person privat, vetëm nëse je budalla, i navigon ligjet dhe kështu bëhet", tha Trump.

Biden e quajti kundërshtarin e tij, "Presidentin më të keq që Amerika ka patur ndonjëherë".

Në fund të debatit, Trump vuri sërish në pikëpyetje integritetin e zgjedhjeve, duke deklaruar se votimi me postë po manipulohet dhe se rezultati final mund të vonohet, për shkak se ekziston mundësia që gjykata Supreme, të shprehet për "manipulimet". Nga ana tjetër, Biden tha se do ta pranojë rezultatin e zgjedhjeve në çdo rast dhe se nuk ka prova për mashtrim në votime.

/TPZ.al/