X

Zbulimet “bombë” të New York Times për taksat e Trump, trondisin SHBA-në në prag të zgjedhjeve presidenciale

Publikimi nga “New York Times”,  i të dhënave mbi taksat e Presidentit Donald Trump, mund të konsiderohet një “bombë” në prag të zgjedhjeve presidenciale në SHBA. Gjetjet e gazetës prestigjioze pritet të trondisin fushatën e Trump.

Taksat e Presidentit Trump kanë qenë gjithmonë një çështje e nxehtë në SHBA, për shkak se Trump nuk i ka bërë ato publike, me argumentin se ai gjendet në një audit të gjatë nga IRS.

Sipas New York Times, Trump nuk ka paguar taksat federale mbi të ardhurat për 11 nga 18 vitet që gazeta analizoi. Në vitin 2017, pasi u zgjodh president, Trump pagoi vetëm 750 dollarë, ndërsa po sipas kësaj gazete, paraardhësit e Trump, Barack Obama dhe George W Bush, kanë paguar rregullisht mbi 100 mijë dollarë në vit.

Prej një dekade, Trump gjendet në një betejë të gjatë auditi me IRS-në, për një shifër të majme prej 72.9 milionë dollarë taksa të kthyera, që ai ka pretenduar dhe ka marrë, pas deklarimit të humbjeve të mëdha. Sipas New York Times, një humbje nga ana e tij mund të sjellë një kosto të madhe prej 100 milionë dollarë për Trump.

Një tjetër zbulim i gazetës, është edhe fakti se bizneset e Trump nuk kanë qenë aq të suksesshme, sa imazhi që Trump ka promovuar për veten.

“Bizneset thelbësore të Trump – nga fushat e golfit tek hoteli magnet për konservatorët në Washington – kanë raportuar humbje në miliona, ose në dhjtëra miliona dollarë, vit pas viti”, thuhet në artikullin e NY Times.

Megjithatë, po sipas New York Times, bizneset e Trump kanë përfituar nga karriera e tij politike.

“Që kur u bë kandidati kryesor për president, ai ka përfituar shuma të mëdha parash nga lobistët, politikanët dhe zyrtarët e huaj, të cilët paguajnë për të qëndruar në pronat e tij dhe për t’u bashkuar në klubet e tij”, raporton gazeta.

Sipas gazetës, Trump pritet të përballet me një faturë të majme financiare, në katër vitet e ardhshme, sepse qindra milionë dollarë borxhe do duhet të kthehen dhe Trump është personalisht përgjegjës për shumë prej këtyre obligimeve.

“Në vitin 1990, zoti Trump gati e fundosi veten, duke garantuar personalisht qindra milionë dollarë borxhe dhe prej asaj kohe ka thënë se pendohet për këtë. Por, ai ka ndërmarrë të njëjtin hap sërish, siç tregojnë të dhënat e taksave të tij. Ai duket se është përgjegjës për borxhe me një total prej 421 milionë dollarë, shumica e të cilave duhet të fillojnë të shlyhen në katër vitet e ardhshme”, shruan NY Times.

I pyetur lidhur me këto gjetje të NY Times, Trump i quajti ato “lajm i rremë” dhe gjithashtu sulmoi IRS-në.

“Është totalisht lajm i rremë. Në fakt, unë kam paguar taksa. Dhe ju do ta shihni këtë sapo të dhënat e taksave…janë në audit, kanë qenë nën audit për një kohë të gjatë. IRS nuk më trajton mirë mua. Ata më trajtojnë si “Tea Party”, siç kanë trajtuar “Tea Party”. Nuk më trajtojnë mirë. Më trajtojnë shumë keq. Ka njerëz në IRS, që më trajtojnë shumë shumë keq mua. Por, janë nën audit. Kur të mos jenë, do të jem krenar t’i tregoj. Është thjesht lajm i rremë. New York Times, e provoi të njëjtën gjë, duan të krijojnë një histori të vogël, po bëjnë gjithçka që munden” , tha Presidenti.

Zbulimet e gazetës pritet gjithashtu të kenë një impakt në debatin e parë presidencial që do të zhvillohet mes Trump dhe Biden, në datën 29 shtator.

Përgatiti në shqip: TPZ.al

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in KRYESORE, LAJME, NË FOKUS
Avionët turq në kufi me Armeninë, luftë e ashpër në Kaukaz

Prej 48 orëve vijojnë përplasjet mes ushtrisë së Azerbajxhanit dhe Armenisë në zonën malore të Nagorno Karabakh-ut duke lënë dhjetëra...

Close