AKTUALITET, 28 Nëntor 2019, 20:09

Iu shua familja nën rrënoja/ Gazetari tregon dhimbjen e kryefamiljarit Lala: Nuk largohet se ka ende shpresë

Iu shua familja nën rrënoja/ Gazetari tregon dhimbjen e kryefamiljarit

Gazetari i ABC News, Juxhin Mustafaraj, i ftuar në emisionin “Historia ime”, ka treguar historinë e kryefamiljarit Lala, i cili ende ka shpresë për të gjallë nën rrënoja.

Mustafaraj ka treguar se kryefamiljari nuk flet me askënd dhe ka 24 orë që nuk i largohet pikës më të afërt ku edhe lejohet që të rrijë. Sipas tij, ai është gjithmonë në komunikim me forcat italiane pasi mund ta flasë gjuhën e tyre.

Shiko minutën e 15

Familja Lala është më e prekura nga kjo fatkeqsi. Përbëhet nga 12 anëtarë që jetonin në një banesë 4 katëshe. Nga banesa është nxjerrë i gjallë vetëm një prej djemve të familjes. Edhe 4 të tjerë janë nën rrënoja. Në asnjë moment nuk i jemi afruar kryefamiljarit. Është një shirit policie i vendosur nga forcat e emergjencës. Është një situatë dramatike të shohësh një baba, i cili ka tre djemtë e tij dhe bashkëshorten dhe në një itinerar prej 3 metrash ka 24 orë që bën vetëm një lëvizje nag njëri krah në tjetrin.Nuk pranon askënd që t’i afrohet. Është në komunikim të vazhdueshëm me ekipet e emergjencës italiane. Ka qënë emigrant në Itali dhe mund të komunikojë me ta. Shpresa e mban aty dhe ai nuk ka asnjë njoftim. Jo vetëm gazetarët por edhe familjarët e kanë të vëshirë që t’u afrohen dhe t’i japin shpresë,”-tha gazetari.

49 persona të vdekur, 750 të plagosur dhe 47 të shpëtuar! Ky është bilanci tragjik i tërmetit të së martës, i cili është pasuar në ditët në vijim me lëkundje të tjera toke. Pas dy netësh ekpiet e kërkim-shpëtimit kanë ndërprerë kërkimet në Thumanë pasi personat e raportuar nga familjarët si të humbur janë gjetur, edhe pse të pa jetë. Ndërsa kërkimet vijojnë në zonën e ish-Kënetës në Durrës dhe në pallatin 6 katësh në lagjen numër 18, pranë Kryqit të Kuq në qytet. Aty po zhvillohen kërkimet për 6 persona të zhdukur.