AKTUALITET, 2 Mars 2020, 18:18

Ilir Meta: Presidenti ulet në gjunjë vetëm para popullit, kur institucionet bien, ngrihet populli!

Presidenti Ilir Meta, ka mbajtur fjalën  në tubimin e thirrur prej tij pasditen e sotme, ku ka patur një pjesëmarrje të paprecedentë të qytetarëve.

Meta tha se  presidenti përulet vetëm para popullit dhe se e ka thirrur popullin sepse i ka shteruar të gjithë perpjekjet demokratike për të ndalur grushtin e shtetit.

"Presidenti i popullit kuq e zi, ulet në gjunjë vetëm para flamurit kuq e zinj dhe popullit kuq e zi. Ta dëgjojnë mirë puçistët vendas dhe organizata ndërkombëtare mafioze, që kërkon të shkatërrojë sovranitetin tuaj.

Neni dy i kushtetutës, thotë sovraniteti i përket vetëm popullit, ndaj ju kam ftuar jo si Ilir Meta, por si Presidenti juaj, si i vetmi institucion demokratik që ka mbetur në këtë shtet. Kur institucionet bien, ngrihet populli!

Dhe populli nuk futet në djep, si paratë e oligarkëve.

Ata kërkojnë rrëmbimin mafioz të Gjykatës Kushtetuese, që oligarkët e tyre të përfitojnë sa më shumë dhe krimet e tyre të mbeten të pandëshkuara.

Jemi këtu, sepse asnjë nga ne nuk mund t'i qëndrojë anash grushtit të shtetit. Nisim pranverën kuq e zi, unë si President dhe ushtar i parë i Republikës, kundër grushtit të shtetit", tha Meta.

Meta tha se populli kërkon shpërndarjen  e parlamentit dhe se ai do ta bëjë një gjë të tillë, nëse mazhoranca nuk e merr seriozisht dekretin e tij për Gjykatën Kushtetuese.

Pas datës 15 mars, nëse nuk e marrin seriozisht këtë dekret, popullin kuqezi që votoi sot, unë Ilir Meta, do e firmos atë dekret në mes të parlamentit, në mes të krimit’, tha Meta.

VIDEO:

FOTO: