TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Komisioni i Ekonomisë dhe Financave miratoi aktin normativ për shtyrjen e gjobave të fiskalizimit deri në 31 dhjetor 2021.
Pak ditë më parë nisi faza e dytë e faturimit të ri për bizneset që kryejnë mes tyre transaksione pa para në dorë.
Në mbledhjen e komisionit parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, deputetja Edlira Hyseni kërkoi shpjegimin e disa procedurave për sistemin e ri të faturimit që po shqetësojnë biznesin.
Për aktin normativ, drejtoresha e Tatimeve, Delina Ibrahimaj, pohoi se do të zbatohet edhe në rastet kur bizneset në pamundësi për të lëshuar fatura të fiskalizuara vazhdojnë të përdorimin sistemit aktual të faturimit (lëshimin e faturave nga blloqet tatimore).
“Mosaplikimi i gjobave do të lidhet me faktin që të gjitha bizneset që nuk janë fiskalizuar do të vazhdojnë të përdorin blloqet tatimore deri në momentin e fiskalizmit. Sot nga drejtoria e tatimeve do të bëhet një njoftim se si do të funksionojnë bizneset që nuk janë fiskalizuar ende”, pohoi Ibrahimaj.
Më 1 korrik përfundoi afati për përdorimin e portalit SelfCare pa pagesë për lëshimin e faturave nga bizneset (përjashtohet biznesi i vogël). Tashmë nëpërmjet këtij portali bizneset kanë detyrimin të ngarkojnë certifikatën elektronike, ndërsa për lëshimin e faturave elektronike është e nevojshme të përdorin programet e tyre software. Drejtoresha e Tatimeve i sugjeroi deputetëve të komisionit parlamentar rishikimin e afatit të përdorimit të portalit nga të gjitha bizneset.
“Për sa i përket platformës SelfCare në bazë të vendimit të këshillit të Ministrave përfundimi i afatit të përdorimit të platformës ka qenë data 1 korrik. Me sugjerimin tuaj ne mund ta diskutojmë nëse ka një mundësi shtyrje, pasi do të ishte një lehtësi për bizneset”.
Shqetësimit të ngritur në komisionin parlamentar nëse ASHKI a ka përmbushur 100% detyrimin për dhënien e certifikatave elektronike të gjithë bizneseve që kanë aplikuar apo për ndryshimet e programeve të kontabilitetit në mes të vitit kur nga bizneset ka një paqartësi për mbajtjen e bilanceve dhe pasqyrave financiare, drejtoresha e Tatimeve dha këtë përgjigje.
“Për sa i takon AKSH-it ne jemi çdo ditë në përditësim të shifrave për aplikimin e certifikatave elektronike. Ashtu siç parashikonim të gjitha bizneset e lanë për ditën e fundit aplikimin për certifikatë elektronike. AKSHI ka një afat 10 ditor për lëshimin e saj dhe me lëshimin e tyre po ecën me ritme të përshpejtuara. Aktualisht janë 22 mijë biznese që kanë marrë certifikatë elektronike dhe çdo ditë lëshohen 1 mijë certifikata. Procesi ka qenë i ngarkuar për AKSHI-n, pasi ka pasur edhe nënshkrimin e certifikatave për regjistrin e pronarëve përfitues që ka pasur afat datën 30 qershor dhe kishte dyndje të kërkesave siç kanë qenë për certifikatë elektronike. Për sa i përket moscertifikimit të disa programeve të kontabilitetit janë më shumë se 30 subjekte të tjera që janë certifikuar. Biznesi është njohur me ligjin për fiskalizimin para 1 viti e gjysmë dhe duhet të kishte marrë masat për ofruesit e shërbimit dhe nuk presim që biznesi të ketë probleme me pasqyrat financiare për shkak të fiskalizimit”, nënvizoi Ibrahimaj.
Zv.ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Vasilika Vjero e pranishme në mbledhjen e komisionit parlamentar tha se miratimi i aktit normativ shtyn në kohë penalitetet për fiskalizimin, por jo afatin e fillimit të procesit.
“Akti normativ për mosvendosjen e penaliteteve u rishikua për t’i dhënë më shumë mundësi biznesit për të përdorur sistemin e ri. Kjo masë do të jetë një ndihmesë për komunitetin e biznesit janë më shumë se 100 mijë tatimpagues që do të hyjnë në procesin e fiskalizimit sipas afateve kohore të përcaktuar në ligj. Për këtë administrata tatimore do të duhet të tregojë më shumë kujdes duke i orientuar dhe nëpërmjet trajnimeve. Nga 1 janari 2022 do të fillojë të funksionojë çdo gjë sipas legjislacionit, nuk do të jetë në fuqi heqja e gjobave”, tha Vjero. /Monitor/