TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka përfunduar hetimet paraprake lidhur me dosjen në ngarkim të Florin Ahmetajt, ishshefi i Logjistikës në Burgun 313 në Tiranë dhe ka çuar dosjen për gjykim.
SPAK e ka hetuar atë nën masën e sigurisë “Arrest me burg” për “Shkelje të barazisë në tenderë” dhe “Shpërdorim detyre”. Sipas organit të akuzës, brenda një periudhe 14-mujore ai i ka dhënë kunatit të tij 12 tenderë me vlerë 2.7 milionë lekë të rinj. “Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, ka përfunduar hetimet paraprake për procedimin penal nr. 89/1 të vitit 2020.
Në përfundim të hetimeve paraprake është marrë i pandehur dhe është dërguar për gjykim me masë sigurie personale ‘Arrest në burg’ i pandehuri Florin Ahmetaj (përgjegjës i Sektorit të Logjistikës në IEVP – në ‘Jordan Misja’, Tiranë), akuzuar për veprat penale të ‘Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike’ dhe ‘Shpërdorim i detyrës’, parashikuar nga nenet 258 dhe 248 të Kodit Penal”, njoftoi dje SPAK.
HETIMET E SPAK
Mësohet se hetimet e këtij procedimi penal kanë evidentuar faktin se i pandehuri Florin Ahmetaj, në cilësinë e përgjegjësit të Sektorit të Logjistikës në IEVP – në “Jordan Misja”, Tiranë dhe anëtar i Komisionit të Prokurimit për Blerje të Vogla në këtë IEVP, ka krijuar në datën 28.01.2019 një person tregtar fizik, të cilin e ka regjistruar në emër të kunatit të tij. Pas regjistrimit të personit fizik, duke përfituar nga pozita e tij si shef i Sektorit të Logjistikës në IEVP – në “Jordan Misja” dhe anëtar i Komisionit të Prokurimit për Blerje të Vogla, bën të mundur që në mënyrë të kundërligjshme personi fizik të përfitojë kontrata në disa procedura prokurimi dhe blerje pranë IEVP “Jordan Misja”.
Megjithëse një subjekt tregtar i ri dhe pa eksperiencë, brenda një periudhe 14-mujore subjekti tregtar, person fizik, ka fituar 12 procedura prokurimi dhe blerje, me vlerë rreth 2.7 milionë lekë (të rinj), të organizuara nga ana e IEVP “Jordan Misja”, Tiranë. Së bashku me një zyrtar tjetër të burgut, Ahmetaj u kallëzua nga një biznesmen që kishte një makinetë kafeje me monedha në institucionin e izolimit. Ai pretendoi se i ishte kërkuar ryshfet nga zyrtarët e burgut për të shtuar numrin e makinetave, ndërkohë që disa të tilla ishin futur nga biznesmeni i arrestuar Kurtulla.
Sipas SPAK-ut, mbajtja në përgjim telefonik dhe ambiental të të kallëzuarve ngriti dyshime se Kërtulla kishte dhënë rreth 550 mijë lekë ryshfet te zyrtarët në këmbim të lejimit të ushtrimit të aktivitetit tregtar brenda burgut. Sipas SPAK-ut, drejtori kishte bashkëpunuar me shefin e Logjistikës në këtë IEVP, duke kërkuar dhe marrë para nga shtetasi I. Paço, si përfitim të parregullt një shumë prej 457 mijë lekësh të rinj, me qëllim që ky i fundit të ushtronte aktivitetin tregtar të tregtimit të kafesë nëpërmjet makinetave të vendosura në IEVP. Në shkurt të këtij viti Florin Ahmetaj është liruar nga qelia ku qëndronte prej disa muajsh.
Bashkë me drejtorin dhe një biznesmen u akuzuan se i kishin marrë një shumë parash. Operacioni u krye në prill të vitit të kaluar, ndërsa në dhjetor 2020 SPAK mbylli hetimet dhe mori si të pandehur drejtorin e shefin e Logjistikës, si dhe biznesmenin. Në janar të viti 2021 GJKKO ia riktheu sërish SPAK-ut dosjen për ish-drejtorin e “313”-ës dhe shefin e Logjistikës, për të plotësuar hetimet. Por në muajin shkurt Florin Ahemtaj është liruar nga qelia. Më herët, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kishte liruar nga burgu edhe ish-drejtorin e “313”-ës dhe biznesmenin./Panorama/