TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha të shtunën deklaroi se forca politike që ai drejton ka denoncuar korrupsionin marrëmendës të këtij regjimi, që duke përfituar nga vakumi i drejtësisë, e çoi Shqipërinë në një tatëpejtë të frikshme, duke e renditur të parën në Europë për korrupsion dhe të dytën në botë për ryshfetin që shërbëtorët dhe ortakët e Ramës u rrëmbejnë qytetarëve dhe sipërmarrjeve.
Basha tha se miliarda euro dëme ekonomike, të paktën 7 sipas raporteve të KLSH-së, që mund të ishin përdorur për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë, shkuan në xhepat e regjimit Rama-Doshi.
Sipas tij, nga të dhënat e Bankës Botërore dhe BERZH ryshfeti që merr ky regjim u kushton bizneseve shqiptare 550 milionë euro në vit, ose 1.5 milionë euro në ditë, një shumë tre fish me e lartë se ajo që raportohej në 2013-ën.
“Para që mund të shkonin për shkolla, spitale, rrugë, paga më të mira për mësues dhe mjekë, pensione më të dinjitetshme për të moshuarit tanë që meritojnë një pleqëri të bardhë, larg shqetësimeve për faturat përherë e më të kripura të dritave dhe ujit, larg ankthit për ilacet që nuk mund të përballojnë dhe tryezës që bëhet gjithmonë e më e varfër”, tha ai.
Basha tha se Shqipëria është një vend i kapur nga korrupsioni dhe se misioni i demokratëve është t’u kthejë qytetarëve të drejtën për të vendosur.
“Përballë përmbysjes së marrëdhënive të qytetarit me shtetin që ka prodhuar ky regjim i korruptuar, misioni i Partisë Demokratike është t’ua kthejë qytetarëve kontrollin mbi shtetin e tyre. T’u kthejë shumicës së shqiptarëve të drejtën për të jetuar një jetë të plotë dhe të lirë për realizimin e aspiratave të tyre, këtu pranë familjeve dhe miqve të tyre. Larg trysnisë së një pushteti që ka depërtuar dhunshëm në cdo qelizë të shoqërisë, një shteti që merr gjithcka dhe nuk jep asgjë. T’ua kthejë të drejtën për të vendosur, t’ua kthejë Shqipërinë shqiptarëve“, u shpreh kryedemokrati.