TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Ish-anëtari i Bandës së “Gaxhait” në Vlorë, Viktor Ymeri festoi ndërrimin e viteve në shtëpinë e tij pas një vendimi të gjyqtares së Elbasanit, Enkeleda Kapedani.
Teksa Ymerit i kishin mbetur edhe pak muaj nga kryerja e dënimit prej 25 vitesh burg nën akuzën e vrasjes, gjyqtarja ka vendosur që ai të lirohet menjëherë nga qelitë, duke i marrë parasysh edhe ditët e punës së kryera brenda burgut të Peqinit.
Në vendimin e siguruar nga “Panorama”, thuhet edhe se vetë prokurori ka qenë dakord me kërkesën e Viktor Ymerit, por “pavarësisht kësaj për shkaqe të paqarta ai ka paraqitur ankim kundër këtij vendimi, duke refuzuar që të bëjë ekzekutimin e vendimit, në kundërshtim me atë që kishte urdhëruar vendimi gjyqësor”.
Ymeri u arrestua më 29 qershor të vitit 1999 për vrasjen e Arben Pajës dhe Ilir Xhungës. Në vitin 2000, ai u dënua nga Gjykata e Durrësit me burgim të përjetshëm, por vendimi u rrëzua nga Gjykata e Lartë.
Pas rreth 15 vitesh, Viktor Ymeri iu drejtua sërish Gjykatës së Lartë për të rishikuar vendimin, ndërsa kjo e fundi e ktheu sërish në Gjykatën e Apelit të Durrësit, e cila më 14 nëntor 2018, e dënoi përfundimisht me 25 vite burg. Viktor Ymeri ishte dënuar edhe në Itali për tentativë vrasje në vitin 1996, vepër penale e përfshirë në të njëjtin dënim.
Gjykata e Durrësit ka bashkuar vendimet, duke e dënuar përfundimisht me 23 vite burg.

E shkuara e Viktor Ymerit
Viktor Ymeri njihet si një nga njerëzit më problematikë në Vlorë dhe që ka lidhje miqësie e farefisnie me Edison Harizajn, i ekzekutuar para disa muajsh në Durrës. Viktor Ymeri konsiderohej nga Policia dhe Prokuroria si një nga njerëzit më të afërt të Gazmend Brakës, i njohur ndryshe si Gaxhai, i dënuar me burgim përjetë. Ymeri dhe Gaxhai kanë ekzekutuar së bashku në qershor të vitit 1999 me dhjetëra plumba kallashnikovi Arben Pajën dhe Ilir Xhungën, të cilët ishin pjesë e një fraksioni tjetër kriminal në Durrës.
Fillimisht, Paja dhe Xhunga të cilët po udhëtonin me një furgon tip “Citroen” në afërsi të Drejtorisë së Policisë Durrës, janë qëlluar me një predhë kundërtanku, e cila edhe pse ka prekur parakolpin e furgonit, fatmirësisht nuk ka plasur. Pas kësaj, mbi Pajën dhe Xhungën janë derdhur breshëri automatiku kallashnikovi, të cilat vinin nga katër krahë, duke i lënë të vdekur në vend. Për këtë ngjarje, Policia e Durrësit në atë kohë arrestoi brenda shtëpisë së një doktori në Durrës Gazmend Brakën dhe Viktor Ymerin.
DAJA I EDISON HARIZAJT
Sipas burimeve nga Policia e Vlorës, dyshohet që Ymeri të jetë dhe daja i Edison Harizajt, i vrarë me rreth 50 plumba në ngjarjen e 7 nëntorit 2018 në zonën e Plepave në Durrës. Harizaj dhe shoku i tij Genci Caci u qëlluan vetëm 7 ditë pasi Gjykata e Apelit në Durrës projektoi lirimin nga qelia të të afërmit të tyre Viktor Ymeri, për të cilin më 31 tetor 2018 ka vendosur t’i rrëzojë dënimin me burgim të përjetshëm të dhënë në 23 qershor 2017 nga Gjykata e Durrësit dhe ta dënojë atë përfundimisht me 25 vite burgim.
Vendimi i Gjykatës së Apelit e ktheu burgimin e përjetshëm në 25 vite burg. Mirëpo, koha e përllogaritjes së shlyerjes së këtij dënimi sipas Gjykatës së Apelit, Viktor Ymerit i fillon në 29 qershor 1999 dhe që prej kësaj dite e deri më tani, pjesa më e madhe e dënimit prej 25 vitesh burgim thuajse është kryer.
Prokurori: Do apelojmë vendimin
Pas vendimit të dhënë nga Gjykata e Elbasanit, Prokuroria pritet të kërkojë rikthimin në burg të Viktor Ymerit. Prokuroria e Elbasanit është shprehur se nuk ka qenë dakord me vendimin e dhënë nga gjyqtarja Enkeleda Kapedani. Kujtojmë se një tjetër personazh i krimit, Lulzim Caka, ia doli të fitojë lirinë para pak kohësh nga burgu në Kosovë të Lushnjës.
Caka vuajti dënimin për vrasjen e Pëllumb Eminit, si dhe për tentativën për vrasje të Gani Malushit dhe Ilir Ngresit. Lulzim Cakën, Apeli i Vlorës e gjeti fajtor për këto krime, duke e dënuar me 25 vjet burg në dhjetor të 2012-ës. Apeli la në fuqi dënimin, ndërsa kjo çështje u end në dyert e gjykatave për një dekadë. Ngjarja për të cilën u dënua ka ndodhur në muajin mars të vitit 1998./Panorama/