TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Darka e qeveritarëve dhe zyrtarëve të lartë të shtetit, në një prej restoranteve më luksoze në Dubai, shkaktoi një furtunë reagimesh dhe zemërim në rrjetet sociale. Në darkë shquhej prezenca e ministrave Ahmetaj dhe Balluku, shefit të komunikimit në Kryeministri, Endri Fuga, çuditërisht i shoqëruar nga bashkëshortja e tij (sigurisht edhe ajo për punë), Arbjan Maznikut dhe biznesmenit, Samir Mane.
Sapo u publikua video, në rrjet shpërthyen krahasimet mes gjendjes së mjerueshme të vendit, që këto ditë gjendet nën pushtetin e ujit dhe luksit qeveritar.
Edi Rama nxitoi të "shuante" revoltën, me disa statuse në rrjetet sociale, ku shpjegonte se ministrat dhe Fuga i shoqëruar nga gruaja, ishin në Dubai për punë dhe jo për pushime.
Por, kryeministri ka reaguar sërish në orët e pasdites, për të lajmëruar një ngjarje të madhe, e cila do ta zëvendësojë me shpejtësi darkën e qeverisë në Dubai. Bëhet fjalë për nisjen e vaksinimit kundër Covid-19, në stadiumin "Air Albania".
Kryeministri njoftoi se ditën e hënë, do të nisë vaksinimi i shqiptarëve dhe "Shqipëria do të buzëqeshë".
Pritet që ditën e nesërme, të kemi pamje ekskluzive nga televizioni privat i kryeministrit, ERTV, ku do të na shfaqet fushata e vaksinimit dhe suksesi i jashtëzakonshëm i qeverisë. Mbetet e paqartë nëse kryeministri do të vaksinohet përpara kamerave, siç ka ndodhur me disa prej homologëve të tij.
Deri ditën e nesërme, me gjasë do të jetë tretur edhe mishi "i florinjtë" i Nusretit!
/TPZ.al/
