AKTUALITET, 20 Nëntor 2019, 20:05

Habit Gent Cakaj, organizon konferencë mbarëkombëtare, por folës do të jetë vetëm ai

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashmte javën e ardhshme do të zhvillojë një konferencë, në datën 25 nëntor. Sipas njoftimit për mediat bëhet me dije se tema e konferencës është “Roli i Shqipërisë në promovimin e interesave të shqiptarëve në hapësirën e Ballkanit perëndimor”.

Deri këtu nuk ka asgjë të keqe. Nëse shikon dokumentin, emri Gent Cakaj është më i përdoruti në tekst, pasi ministri në Detyrë, Gent Cakaj do të jetë folësi kryesor. Konferenca do të nis në orën 09:00 të mëngjesit dhe përfundon në mesditë në ora 12:45 dhe përgjatë këtyre katër orëve folësi i vetëm është Gent Cakaj.

Të vetmet ndërprerje Cakaj do i ketë nga pesë minuta, kur mund të ketë ndërhyrje të ftuarit, të cilët njihen si bashkëbisedues sipas dokumentit.

Ministri do të mbajtë fjalën hapëse të konferencës dhe më tej dhe fjalët në sesionet e tjera të kësaj konference. Nga fjala me temë “Roli i Shqipërisë në promovimin e interesave të shqiptarëve në hapësirën e Ballkanit perëndimor”, tek “Roli i Shqipërisë në promovimin e trashëgimisë kombëtare”, Gent Cakaj praktikisht do të jetë folësi i vetëm në këtë konferencë.